Këshilli Gjyqësor ka gjobitur gjykatësin Enver Bexheti me 20% të pagës për gjashtë muajt e ardhshëm. Përgjegjësia e gjykatësit të Apelit që ruajti në sirtarë lëndën mbi përgjimin masiv të qytetarëve kaloi me vota unanime, por pa pasoja juridike. Ruajtja e qëllimshme e “Target-Fortesës” në sirtarë për 9 muaj bëri që ndjekja penale kundër ish drejtorit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov të vjetërsohet, ndërsa me ndryshimet e fundit në Kodin Penal pushoi edhe akuza për këtë rast.
Interesant mbetet fakti se edhe vetë Këshilli Gjyqësor ruajti lëndën kundër Bexhetit në sirtarë, për shkak se i njëjti kohë më parë ishte kandidat për gjykatës në Gjykatën Supreme. Pavarësisht se Bexheti nuk arriti të sigurojë mbështetje për në Supreme, këshilli vazhdon të mos shpall konkursin për gjykatës me materie penale në instancën më të lartë gjyqësore në vend. Kjo lë të kuptohet se për Enver Bexhetin po përgatitet pozicioni në Supreme.
Veprimet e Bexhetit dhe kolegëve të tij në Apel ishin shqetësim i theksuar edhe i ambasadores amerikane, Angela Price Aggeler e cila në prill të këtij viti shpalosi shqetësimi i saj për kthimin e lëndëve nga profile të larta nga Gjykata e Apelit në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim. Ajo gjithashtu kishte potencuar frikën se një veprim i tillë është bërë praktikë dhe se buron nga paaftësia e gjykatësve të Apelit për të vepruar në kohë.
Ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor, Bexheti ka të drejtën e ankesës deri tek Gjykata Supreme. Pas plotfuqishmërisë, emri i tij do të bëhet publik me vendim të këshillit për masat disiplinore të shqiptuara ndaj tij.