Liderët e partive politike, sipas të gjitha gjasave, do të takohen në dhjetor, për të diskutuar rreth zgjedhjeve. Por, partitë nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre. VMRO – DPMNE nuk dëshiron qeveri teknike që BDI të mos ketë kryeministrin shqiptar, shkruan TV 24, transmeton Portalb.mk.
Opozita maqedonase sot sërish i bëri thirrje LSDM-së të ketë zgjedhje pa qeveri teknike.
“BDI është struktura më e kriminalizuar në shtet. Nuk ka funksionar nga ajo parti i cili nuk është i përfshirë në korrupsion. Është turp për shtetin që kryeministri teknik të vijë nga radhët e tyre. Në Maqedoni mund të ketë zgjedhje pa qeveri teknik dhe pa kryeministër teknik nga BDI. LSD duhet të inkurajohet dhe të pranojë ofertën e VMRO – DPMNE-së”, thuhet në kumtesë.
Në pragë të zgjedhjeve, lideri i partisë më të madhe opozitare, VMRO – DPMNE, Hristijan Mickoski sot në ngjarjen “Platformë për ardhmërinë”, paralajmëroi se, ekonomia do të jetë prioritet i tyre dhe tha se, rreth 250 milionë euro në vit do t’i destinojë për investime kapitale në komuna.
Kryetari i “Të majtës”, Dimitar Apasiev, në intervistë për A1 on, tha se, partia e tij është e gatshme që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të negociojë me VMRO – DPMNE-në për formimin e qeverisë së përbashkët. Ai theksoi se, “E majta” ka parime të cilat, nëse nuk i pranon VMRO-DPMNE nuk i pranon, nuk do të ketë bashkëpunim.
“Do t’i shohim kushte. Ne negociojmë në mënyrë principiele, as herën e parë as të fundit. Ne nuk jemi për atë që të jemi në qeveri me çdo kusht. Kemi principe, nëse DPMNE nuk i pranon ato principe, vazhdoni punën”, tha Apasiev.
Nga LSDM thonë se, me deklaratën për koalicion të mundshëm mes “Të majtës” dhe VMRO-së kanë rënë maskat.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike i bëri thirrje gjithë institucioneve shtetërore që në kohë të rregullojnë listën zgjedhore, përkatësisht, të pastrohet nga “votuesit fiktiv”.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, deklaroi më 23 nëntor se, takimi me liderët e partive parlamentare për datën e zgjedhjeve do të mbahet në Kuvend në dhjetor.
Ai nuk saktësoi se kur do të mbahen zgjedhjet, por tha se në maj ka hapësirë të mjaftueshme për të mbajtur zgjedhje të rregullta presidenciale dhe parlamentare. Ndryshe, 8 maji është data e vetme kur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare mund të mbahen në mandatin e rregullt.
Kryeminstri tha se para mbajtjes së zgjedhjeve duhet të merren vendime të tjera.