LajmeRajon

Shënohet 25-vjetori i Kushtetutës së Shqipërisë

Me rastin e 25-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në Tiranë është organizuar konferenca me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, raporton Anadolu.

Në aktivitetin e organizuar në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, deputetë, ambasadorë dhe zyrtarë të tjerë.

Në fjalën e tij në hapje të konferencës, presidenti Begaj u shpreh se Kushtetuta e vitit 1998 është shprehje e aspiratave të popullit për një Shqipëri demokratike dhe evropiane.

“Ajo (Kushtetuta) ishte jehonë e përpjekjeve tona ndër shekuj për të ndërtuar një shtet modern. Parimi i shtetit të së drejtës është një nga elementët themelor të sanksionuar në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kushtetuta jonë arriti t’i paraprijë dhe të parashikojë procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë, që lidhet ngushtësisht me parimet e shtetit të së drejtës dhe sovranitetit shtetëror”, u shpreh Begaj.

Presidenti Begaj tha se synimi kryesor mbetet që drejtësia të afrohet pranë qytetarëve me eficiencë, barazi përpara ligjit, transparencë dhe garanci në respektimin e të drejtave të tyre themelore.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla theksoi se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u hartua dhe po shërben për garantimin e të drejtave njerëzore thelbësore.

“Më 28 nëntor 1998, 7 vjet pas vendosjes së pluralizmit Shqipëria i dha formë juridike Republikës të mbështetur në parime të mëdha e të gjalla të demokracisë liberale dhe qeverisjes së bazuar në votën e lirë. Miratimi i Kushtetutës ishte një rikonfirmim i vendosmërisë së Shqipërisë për të ecur pa kthim në rrugën e ndryshmeve rrënjësore politike, ligjore, ekonomike dhe shoqërore”, u shpreh Nikolla.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Holta Zaçaj. “Ndihem e privilegjuar sot për këtë jubile të rëndësishëm të Kushtetutës tonë, jo vetëm si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, por edhe si qytetare e këtij vendi. Kushtetuta përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së popullit tonë, i cili me vullnet, krenari, dije dhe besim përcolli në të aspiratat dhe vlerat që përfaqësonin ëndrrën e tij për të ardhmen, për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, si dhe vizonin për t’iu bashkuar familjes evropiane”, u shpreh Zaçaj.

Në aktivitetin e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Gjykata Kushtetuese Shqipërisë, përshëndetën edhe ministra, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, përfaqësues të gjykatave kushtetuese nga disa vende dhe zyrtarë të tjerë.

Kushtetuta aktuale e Republikës së Shqipërisë ka hyrë në fuqi më 28 nëntor 1998.

Show More

Related Articles

Back to top button