Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora është duke zhvilluar një vizitë në Kosovë e cila përkon dhe me ditëlindjen e saj të 33-të.
E shoqëruar nga bashkëshorti, Taika Waititi, Rita ka vizituar disa nga zonat më të bukura të Kosovës, por nuk kanë munguar dhe takimet me zyrtarë të lartë të shtetit.
Një prej tyre ishte dhe ai me kryeministrin Albin Kurti, i cili vlerësoi rolin që Rita Ora ka luajtur për përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Kjo është një mënyrë e mrekullueshme për të kaluar ditëlindjen time. Jam 33 vjeçe sot dhe mendoj që kemi bërë një punë të mirë deri tani Sot ka qenë një takim frymëzues dhe emocionues. Mendoj që kemi projekte të jashtëzakonshme për vitin e ardhshëm. Ky udhëtim dhe ky takim më ka bërë shumë entuziaste për të ardhmen”, tha Rita në takim me kryeministrin.
E kryeministri Kurti falënderoi këngëtare që e ka bërë shtetin e saj krenar.
“Faleminderit Rita që na ke bërë shumë krenarë si njerëz, si shtet. Ka qenë një e diel e paharruar për mua. Duhet të shikoj përsëri videon që të sigurohem se ishte e vërtetë”, shkroi Kurti në rrjetin social X.