Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë dhe Nënkryetarit të Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jordanisë, Ajman Safadi, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani sot mori pjesë në takimin e tetë rajonal të Unionit për Mesdheun, në Barcelonë.
Në fokus të diskutimeve ishte situata në Izrael dhe territoret palestineze, si dhe pasojat për rajonin e Lindjes së Mesme. Në këtë kontekst, ministri dërgoi mesazh se fokusi duhet të vendoset në përpjekjet diplomatike për të gjetur zgjidhje afatgjate, të qëndrueshme dhe plan pas konfliktit për stabilizim të përhershëm, që do të garantojë stabilitet dhe paqe për Izraelin dhe territoret palestineze, në rajon dhe më gjerë.
“Nuk duhet të lejojmë që zhvillimet fatkeqe t’i cenojnë parimet dhe qëllimet bazë të kësaj organizate dhe të hedhin hije mbi arritjet e deritanishme. Përkundrazi, duhet të jemi edhe më të përkushtuar dhe të gjejmë mënyra për të inkurajuar bashkëpunimin, dialogun dhe besimin reciprok. Besoj fuqishëm se nuk ka alternativë tjetër – kjo është e vetmja rrugë para nesh”, theksoi Osmani.
Sipas Osmanit, në këtë moment është me rëndësi të madhe që të sigurohet rrjedhje e papenguar e ndihmave humanitare për banorët e Gazës duke respektuar plotësisht të drejtën ndërkombëtare humanitare. Ndërkaq, e përshëndeti lirimin pengjeve nga Rripi i Gazës si pjesë e Marrëveshjes së përkohshme të armëpushimit disa ditë më parë. Njëherit, Osmani theksoi se është i domosdoshëm lirimi i menjëhershëm i pengjeve tjerë.
Në margjinat e forumit rajonal ku morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme dhe Zëvendësit e tyre nga 37 shtete anëtare të Unionit për Mesdheun, shefi i Diplomacisë Osmani zhvilloi disa takime bilaterale me homologët e tij.