LajmeRajon

Stoltenberg tha nga Brukseli: Kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha nga Brukseli se “kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë ndarëse e shkëputëse në Bosnjë Hercegovinë, dhe tentime malinje të ndërhyrjeve përfshirë ato nga Rusia.

Në këtë drejtim ai paralajmëroi mundësinë e shtimit të përhershëm të numrit të ushtarëve në kuadër të KFOR-it.

“Së fundmi kemi shtuar praninë tonë në Kosovë, duke dërguar mijëra ushtarë shtesë. Tani po e shqyrtojmë nëse duhet të ketë një shtim më të përhershëm dhe nëse kemi nevojë për disa aftësi të reja të posaçme. Bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Borrell ne do të diskutojmë mënyrat që të rrisim stabilitetin në rajon”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Ai i bëri thirrje Kosovës e Serbisë, që menjëherë t’i kthehen dialogut që udhëhiqet nga BE-ja.

“Beogradi dhe Prishtina, duhet të riangazhohen  në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Stabilitetit varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë, në vend të konfliktit dhe kaosit”, u shpreh Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Për mundësinë e një shtimi më të përhershëm të pranisë së NATO-s në Kosovë, Stoltenberg foli edhe gjatë një vizite në Prishtinë.

Aktualisht në Kosovë janë 4.687 trupa të KFOR-it. NATO ka shtuar praninë e saj në Kosovë pas 24 shtatorit, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve që pasuan po atë ditë, u vranë tre terroristë.

Show More

Related Articles

Back to top button