Edhe një tjetër dramë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Kësaj radhe në komisionin anketues për skandalin në Onkologji, shkruan Alsat.
Anëtarët e komisionit nuk arritën të pajtohen rreth konkluzioneve të punës së deritanishme. Deputetët e LSDM-së thonë se kryetarja e komisionit nga radhët e VMRO-DPMNE-së Rashella Mizrahi lexoi përfundime personale, ndërsa i prezantoi si të komisionit. Kërkuan dorëheqjen e saj.
“Duke dashur që të prezantojë përfundimet e saja, ose përfundimet që ia kanë dhënë nga pallati I bardhë si përfundime të komisionit, bëri precedencë, i lexoi dhe fillimisht nuk tregoi se ato janë përfundimet e saj, dhe edhe pse kërkuam replikë, pa asnjë votim të komisionit, i lexoi përfundimet dhe dha pauzë prej një orësh. E mori rolin e prokurorit dhe gjykatësit, vetëm sa nuk morri aktvendim, që ta shohim se kush sa duhet të vuaj dënim me burg… Kërkojmë dorëheqjen e saj”, tha Nenad Kociq, deputet i LSDM-së.
Mizrahi tha se edhe në seancë ka ndjekur vetëm rrugën ligjore.
“Sot në kuvend kishte atmosferë nervoze, edhe pse unë vetëm e ndoqa rrugën ligjore për atë se si duhej të funksionojë sistemi dhe përse nuk ka funksionuar dhe cilat janë dëmet që janë bërë nga e njëjta. Sot në seancë u përmend se për shkak të propozim përfundimeve që unë i propozova para anëtarëve dhe zëvendësve që të gjithë i kishin materialet e njëjta si ne. Kërkojnë shkarkim, për mua nuk është hera e parë. Por unë kam premtuar se do të qëndroj prapa së vërtetës”, u shpreh Rashella Mizrahi, Kryetare e Komisionit Anketues.
Propozim konkluzionet e Mizrahit, çojnë në përgjegjësi politike ish ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe, ish drejtorët e Onkologjisë, Nikolla Vasev dhe Nehat Nuhi, ish drejtoreshën e inspektoratit sanitar dhe shëndetësor, Irina Sotirova Buhova, si dhe te ish drejtorët e Fondit shëndetësor, Stevo Kërstevski dhe Faton Ahmeti. / Alsat.mk