Me rastin e 28 nëntorit, është hapur sonte në Gostivar ekspozita artistike ‘Çmimi i Nëntorit’. Ekspozita mbarëkombëtare e artit pamor e cila organizohet nga Shoqata e Artistëve Figurativ “Draudacum” në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë në Gostivar, me mbështetje financiare të Ministrisë së Kulturës, ekspozoi veprat e 40 artistëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Kosova. Ekspozita mbarëkombëtare “Çmimi i Nëntorit” këtë vit u organizua për të 18 vit me rradhë bëri me dije kryetari i shoqatës “Draudacum”, Arjan Rufati.
Veprat e ekspozitës së nëntorit paraqesin një formë të humanizmit estetik që krijon optimizmin për ardhmëri me dritë. Riaktualizimi i konceptit emancipues të artit tek shqiptarët, do të ishte që arti, tërësisht, të mos mbështetet në imazhe të njohura të së shkuarës, por të krijojë mundësitë e formësimit aktual, që do të bazohej jo vetëm në materien, por edhe në mbi dhe meta materien, sepse vetëm një praktikë e tillë ka aftësinë për korigjim dhe mprehje esenciale, pa “dëmtuar karakterin e katarzës” dhe distancën estetike në kohë dhe hapsirë, tha Metin Izeti , kritik arti.
Pos punimeve, në këtë natë nuk munguan edhe çmimet për më të mirët e disa kategorive. Përzgjedhja u bë nga komisioni artistik i përbërë nga profesor Reshat Ameti, Xhelil Rufati dhe Xhezair Rexhepi. Çmimi Draudacum për fotografi i shkoi fotografes Berlinda Amiti, ndërsa ai për pikturë shkoi për Dashmir Bajramin. Çmimin Draudacum për artiste të re e mori Syarta Lufi, ndërsa ‘Çmimin e Nëntorit’ e fitoi Bejtulla Zaimi.