LajmeMaqedoni

Këshilli i 30-të ministror i OSBE-së në Shkup (drejtpërdrejt)

Maqedonia e Veriut dhe kryeqyteti Shkupi janë nikoqir të Këshillit të 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, ku marrin pjesë rreth 1000 delegatë nga 57 vende anëtare të Organizatës dhe vende partnere.

Në ngjarjen më të madhe politike ndërkombëtare të organizuar në vend që nga pavarësia marrin pjesë krerët e diplomacisë së numrit më të madh të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së – SHBA, Kanada, Britania e Madhe, ministra nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, nga Mesdheu, Lindja e Afërt dhe Azia Qendrore.

Takimin ministror që po mbahet në Qendrën sportive “Boris Trajkovski” zyrtarisht do ta hapin kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryesuesi me OSBE-në, ministri Bujar Osmani dhe kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Pia Kauma. Në pjesën e hapur të seancës plenare, raport do të paraqesë Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Shmid.

Në ditën e parë janë planifikuar edhe dy ngjarje shoqëruese: Nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe shfrytëzimit të digjitalizimit, pas së cilës do të pasojë edhe adresimi i ndikimit të ndryshimeve klimatike në sigurinë njerëzore në zonën e OSBE-së. Nesër do të mbahen tre aktivitete shoqëruese me temën “Të rinjt dhe shoqëria civile”, “Bëhet fjalë për njerëzit – ndikimi i operacioneve në terren të OSBE-së në 2023” dhe “Ruajtja e pluralizmit – siguria e grave gazetare”.

Gazetarët e akredituar do të mund të ndjekin edhe seancën plenare përfundimtare të Këshillit Ministror të OSBE-së, pas së cilës do të pasojë një konferencë përfundimtare për shtyp me kryesuesin, Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, me përfaqësuesin e Maltës, e cila është kryesuesja e radhës e Organizatës dhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së Shmid.

Takimi ministror nisi dje me darkën joformale të shumicës së ministrave, ku temë e bisedës ishte agresioni ushtarak ndaj Ukrainës dhe nevoja për një Organizatë funksionale në kohë konfliktesh dhe tensionesh të shtuara.

Në darkën joformale morën pjesë edhe Sekretari shtetëror amerikan, Entoni Blinken dhe nënkryetari i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Zhozep Borrell, të cilët u larguan menjëherë pas darkës. Ata kaluan pranë njëri tjetrit me shefin e diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, i cili mbërriti në Shkup mbrëmë vonë.

Takim i Blinkenit me Lavrovin nuk u paralajmërua, ndëra edhe Borrell para mbërritjes deklaroi se nuk do të bisedojë me ministrin rus të Punëve të Jashtme Lavrov.

Ministrat e Punëve të Jashtme në Shkup do të diskutojnë edhe për çështjen e buxhetit të Organizatës, si dhe mandatet e katër zyrtarëve të lartë të OSBE-së, përfshirë diplomaten gjermane Helga Smid si sekretare e përgjithshme. Mandati i tyre përfundon më 4 dhjetor dhe ende nuk ka marrëveshje nëse dhe kush do t’i trashëgojë, për shkak të vërejtjeve të Rusisë dhe Bjellorusisë.

Këshillin Ministror të OSBE-së do të ndjekin nga mbi 300 gazetarë nga vendi dhe jashtë vendit. Për shkak të mbajtjes së takimit ministror, me vendim të Qeverisë, të punësuarit në administratën shtetërore dhe publike në territorin e qytetit të Shkupit dje kanë punuar deri në ora 12:00, ndërsa sot është ditë jopune si për administratës shtetërore dhepublike, edhe për shkollat ​​fillore dhe të mesme në zonën e qytetit kryesor. Një pjesë e rrugëve nëpër qytet, nëpër të cilat do të kalojnë delegacionet e huaja edhe sot do të mbyllen për qarkullim.

Show More

Related Articles

Back to top button