VMRO DPMNE edhe sot doli me kritika për pakon antikrizë të qeverisë. Maria Miteva nga kjo parti thotë se ky është një ryshfet parazgjedhor që nënvlerëson qytetarët. Sipas saj rritja e pagave të funksionarëve prej 78% është shumë më tepër se 1000 denarë që LSDM dhe BDI-së do t’i japin pensionistëve dhe studentëve për vetëm disa muaj.
“E derisa qeveria e LSD-së dhe kryeministri Kovaçevski e shfrytëzojnë buxhetin e shtetit për ryshfet, sipas të dhënave të institucioneve zyrtare dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese me koeficient 4,5 shumëzuar me bruto pagën e vitit të kaluar që ishte 47 mijë denarë, kryeministri Kovaçevski, i cili deri në muajin mars ka marrë pagë prej 88.260 denarë, për 9 muajt e kaluar ka marrë pagë prej 156.000 denarë, ose rritje prej 67.740 denarë. 67 mijë denarë më shumë për Kovaçevskin, dhe 1000 denarë për popullin si ryshfet zgjedhor”, tha Maria Miteva – VMRO DPMNE.
Por ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, thotë se kjo nuk është pako masash për qytetarët para zgjedhjeve, por është masë për periudhën kur kemi rritje të kostos së energjisë në të gjitha në familjet, dhe kur ende ndjejmë pasojat e krizës së energjisë dhe të çmimeve.
“Këto 26 masa, të cilat janë pjesë e pakos së nëntë të masave antikrizë, nuk u miratuan për shkak periudhës parazgjedhore, por për qytetarët, për të rinjtë, për ekonominë dhe për administratën publike. Me këtë pako të masave kundër krizës, veçanërisht në pjesën e kategorisë së rrezikuar të qytetarëve, do të mbulohen rreth 440 mijë të rinj, nxënës fillor dhe të mesëm, studentë, persona që përfitojnë të drejta të caktuara sociale dhe pensionistë me pensione të ulëta”, pohoi Jovanka Trençevska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Pakoja antikrizë e qeverisë, e nënta me radhë peshon 662 milionë euro. Masat do të vlejnë nga 1 dhjetori dhe mbulojnë 120 mijë të rinj, mbi 74 mijë kategori të rrezikuara sociale, mbi 187 mijë pensionistë, 40 mijë fermerë, gati 540 mijë përdorues të aplikacionit TVSh-ja ime, 600 mijë familje dhe mbi 70 mijëra kompani.