BotaLajme

Gjermani: Rritet rreziku i sulmeve islamike

Lufta në Lindjen e Mesme ka ndikim edhe në situatën e sigurisë në Gjermani. Autoritetet paralajmërojnë për përgatitjen e sulmeve terroriste.

Sulmi i përgjakshëm i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe ndërhyrja ushtarake izraelite pasuese shkaktuan emocione të mëdha dhe mobilizuan mijëra njerëz edhe në Gjermani. Kjo mund të shihet në një mënyrë tronditëse përmes valës së paprecedentë të antisemitizmit, për shembull, në sulmet e shpeshta ndaj hebrenjve dhe objekteve të tyre në Gjermani. Zhvillimi i mëtejshëm i situatës së sigurisë në Gjermani në masë të madhe varet nga zhvillimi i situatës në Lindjen e Mesme.

Shërbimet gjermane të sigurisë janë të shqetësuara për sulmet e mundshme me motive islamike në Gjermani. Ndaj presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, Thomas Haldenwang, thotë: “Rreziku është real dhe është më i madh se sa ka qenë për një kohë të gjatë”.

Fokusimi te al-Kaeda dhe IS

Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës vëzhgon me shqetësim të veçantë aktivitetet e organizatave të njohura terroriste islamike, si Al-Kaida dhe “Shteti Islamik”. Në parim, këto dy organizata nuk janë të afërta me Hamasin. Por tani po shfaqet një cilësi e re, paralajmëron Haldenwang: “Ne po shohim thirrje për vrasje në të gjithë spektrin xhihadist dhe ‘angazhimin’ e Al-Kaidës dhe IS në konfliktin e Lindjes së Mesme”.

Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës ka frikë nga radikalizimi i individëve deri në atë masë sa ata të mund të sulmojnë të ashtuquajturat “objektiva të buta” – siç janë ngjarjet e hapura publike në natyrë – me mjete të thjeshta, si thikë apo automjete. “Ne po punojmë shumë për të penguar planet e mundshme që do të minonin sigurinë e hebrenjve, institucionet izraelite dhe evenimentet e mëdha,” tha Haldenwang.

Kryetari i Shërbimit për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk përmendi konkretisht tregjet e Krishtlindjeve, por është e qartë se pikërisht ngjarje të tilla kërkojnë një vëmendje të madhe dhe një kujdes të veçantë nga autoritetet gjermane të sigurisë.

Dy adoleshentë u arrestuan të martën

Policia bastisi të martën në dy lande, Brandenburg dhe Renania Veriore-Vestfalia. Atje anë arrestuar një 16-vjeçar dhe një 15-vjeçar, të cilët dyshohen për përgatitjen e sulmeve terroriste në një sinagogë ose një treg krishtlindjesh. Nuk dihet nëse kjo do të ndodhte, por policia vendosi të ndërhyjë me shpejtësi në kuadër të masave të sigurisë, sepse ka dyshime se planet kanë qenë në një fazë kur kanë mundur edhe të ndodhin.

Në fillim të tetorit, një islamist potencialisht i rrezikshëm, i njohur prej kohësh nga autoritetet e sigurisë, u arrestua në Duisburg. Ai ka qenë më parë në të ashtuquajturin Shteti Islamik dhe për këtë shkak pas kthimit vuajti një dënim shumëvjeçar në Gjermani. Ai dyshohet se kishte planifikuar një sulm në një manifestim pro-izraelit dhe tani ndodhet në paraburgim.

Show More

Related Articles

Back to top button