Ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Muhamed Zekiri është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg. Gjykatësja njoftoi se në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak. Zekiri akuzohej për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”, respektivisht për lidhje të kontratës me kompaninë “Interholding”, për shërbime konsultuese për privatizimin e mundshëm të SH.A. “Postat” dhe “Hekurudhat”, i cili sipas akuzës, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej mbi 57 milionë denarëve.
“Gjykata e dënon të akuzuarit me burgim prej 2 vjet e gjashtë muaj, ndërsa në dënimin me burgim të shqiptuar i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Muhammed Zekiri obligohet që në afat prej gjashtë muajsh pas aktvendimit, të kompensojë dëmin prej 71.338.336 denarëve”, tha mes tjerash gjykatësja Fanka Janqulleva Mihaillovska.