Fluturimet në aeroportin e dytë më të madh të Gjermanisë janë anuluar deri në mesditë.
Dëbora e madhe përmbyti kryeqytetin e Bavarisë dhe transporti publik u pezullua.
Reshjet e dendura të borës goditën Gjermaninë jugore të premten mbrëma dhe vazhduan edhe këtë mëngjes, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha në aeroportin e Munichut, qendra e dytë më e ngarkuar e vendit.
Aeroporti njoftoi mëngjesin e sotëm se do të pezullojë fluturimet deri në mesditë.
Rreth 320 nga 760 fluturimet e planifikuara për të shtunën janë anuluar, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA. Punonjësit e aeroportit u përpoqën të mbanin të paktën një pistë në funksion dhe pa borë.
Shumica e linjave lokale të autobusëve dhe tramvajit nuk po funksionojnë pasi janë përkeqësuar kushtet në rrugë.
Shërbimi meteorologjik i Gjermanisë, DWD ka parashikuar se borë do të bie pa ndërprerë deri të shtunën pasdite në pjesën më të madhe të Bavarisë.