Sot në ora 12:00 në Kuvend do të zhvillohet takimi i liderëve i thirrur nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Në takim do të marrin pjesë të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, ndërsa epilogu i takimit duhet të jetë pajtueshmëria për zgjedhjet parlamentare bashkë me ato presidenciale, shkruan Alsat.
Sot nuk pritet të ketë datë definitive për zgjedhjet, pasi ditë më parë kryeministri Kovaçevski tha se takimi do të jetë për të parë qëndrimet parimore të partive, ndërsa data do të caktohet mes grupeve të punës në Kuvend.
VMRO-DPMNE-ja shkon me qëndrimet për të kërkuar abrogimin e Qeverisë teknike dhe caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Partia e Hristijan Mickoskit kërkon që në kuadër të zgjedhjeve presidenciale, në raundin e dytë të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.
Opozita maqedonase paraprakisht ka deklaruar se duhet mbajtur llogari edhe për festat fetare që do të jenë në prill dhe fillim të muajit maj.
Shumica parlamentare do të kërkon gjetjen e konsensusit për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor me qëllim përfshirjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së. LSDM-ja është pajtuar për zgjedhje në muajin maj, por lideri i saj Kovaçevski ka deklaruar se mbi kërkesën e opozitës për abrogimin e Qeverisë teknike për momentin nuk ka konsensus politik brenda partive parlamentare.
BDI ndërkohë shkon me idenë për të garantuar dhe mbase edhe shpalosur emrin e kandidatit për kryeministër teknik. Partia e Ahmetit në vitin 2020 ishte dakorduar aso kohe me ish kryeministrin Zoran Zaev që në 100 ditët e fundit të mandatit të Qeverisë, kryeministri të jetë shqiptar dhe të propozohet nga BDI.
Nëse në këmbim të kryeministrit BDI do të heq dorë nga ndonjë pozitë në ekzekutiv apo ligjvënës, kjo akoma nuk është bërë e ditur.
Në takim do të merr pjesë edhe Aleanca për Shqiptarët, për të cilën nuk dihet nëse do ta hapin temën e “besë prerjes” nga partnerët e koalicionit për propozim-Ligjin për amnisti dhe dështimin e premtimeve të tjera të Aleancës për gati një vit sa po i bën si pjesë e pushtetit.
Në takim është ftuar edhe Skënder Rexhepi në cilësinë e liderit të Lëvizjes Populli, si dhe Arianit Hoxha në cilësinë e liderit të Partisë Demokratike Evropiane. E ftuar është edhe partia E Majta e cila ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim.
Takimi i fundit i liderëve me format të partive parlamentare është mbajtur në nëntor të vitit kaluar. /Alsat/