Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski në konferencën e sotme shpalosi detaje nga vrasja e 14 vjeçares nga Shkupi dhe 74 vjeçarit i cili u gjet i vrarë në afërsi të Velesit. Sipas tij dyshohen 5 persona, 3 prej të cilëve janë në paraburgim, një në bisedë informative dhe një jashtë shtetit.
“Që të dy personat edhe e mitura nga Shkupi dhe 74 vjeçari nga Velesi dje u gjetën nga policia të vrarë dhe të varrosur njëri në Shkup dhe tjetri në Veles. Masat e ndërmarra nga ana e policisë na sollën deri tek autorët e këtij krimi, ata janë privuar nga liria. Lidhur me dy rastet janë të dyshuar 5 persona, tre prej tyre janë në paraburgim, një është jashtë shtetit dhe personi i 5, babai i të miturës është ndaluar dhe me të po zhvillohet bisedë informative”, tha Spasovski.
Ministri Spasovski tha se motivi i dy vrasjeve ka qenë interesi, ndërsa në një rast është përfshirë edhe një person nga familja më e afërt e viktimës.
“Një prej personave, në marrëveshje dhe në dijeni, sipas konstatimeve fillestare, të një familjari ka organizuar ekzekutimin e krimit, me qëllim zhvatjen e parave nga nëna e të miturës, nga të cilat të gjithë personat e përfshirë do të përfitojnë financiarisht”, tha Spasovski.