Asgjë, tekstualisht asgjë nuk është bërë për tre rekomandimet kyçe që i dha Komisioni Evropian Maqedonisë së Veriut në vitin 2022. Të njëjtat vlejnë edhe këtë vit. Raporti i KE-së për progresin në Kapitullin 26: Arsimi dhe kulura, është identik me atë të vitit të kaluar. Vendi vazhdon të mbetet mesatarisht i përgatitur në këtë fushë. Njëjtë si edhe në periudhën paraprake raportuese edhe në këtë periudhë, është bërë përparim i kufizuar me miratimin dhe prezantimin e udhëzimeve dhe programeve për të forcuar përfshirjen dhe promovimin e aftësive të gjelbra. Zbatimi i strategjisë së arsimit 2018-2025 ka vazhduar të jetë të jetë i ngadaltë, si dhe zhvillimi i një sistemi të duhur monitorimi. Kurse, miratimi i legjislacionit kryesor u vonua përsëri, raporton Portalb.mk.
Rekomandimet e raportit të vitit të kaluar mbeten të vlefshme.
Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:
të finalizojë dhe miratojë Ligjin për arsimin e mesëm dhe Ligjin për arsimin dhe aftësimin profesional dhe ngritjen dhe funksionalizimin e qendrave rajonale të AFP-së (Vocational Education and Training – VET);
miratojë Ligjin për arsimin e të rriturve dhe,
të përmirësojë aksesin në arsim cilësor për të gjithë, veçanërisht fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome; dhe të rrisë regjistrimin në parashkollor dhe të vazhdojë përmirësimin e mbështetjes për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve.
Rekomandimet dhe vërejtjet e njëjta që u bënë në vitin 2022, mund t’i ndiqni në linkun më poshtë:
Maqedonia nuk ka qasje të mjaftueshme në arsimin cilësor dhe as nuk e mbron trashëgiminë kulturore, kritikon BE-ja
Raporti vëren edhe se Strategjia 2018-2025 për arsimin është dokumenti kryesor që rregullon sektorin e arsimit, por mekanizmat e saj monitorues nuk janë të përcaktuar mirë. Synimet dhe treguesit duhet të përmirësohen për të lejuar një vlerësim të duhur të zbatimit të reformave. Autoritetet duhet të forcojnë koordinimin ndërmjet institucioneve në zhvillimin e legjislacionit, duke siguruar një mjedis të favorshëm institucional të aftë për zbatimin e tij.
“Ligji i ri për arsimit dhe formimit profesional- AFP-në, i cili është thelbësor për AFP-në, ende nuk është miratuar. Miratimi i tij është gjithashtu i nevojshëm për të fuqizuar rolin e pesë qendrave rajonale të AFP-së (QR-AFP) të vendit. Ekziston një skemë bashkëpunimi midis kompanive të biznesit, shkollave të mesme profesionale, Odave ekonomike dhe Ministrisë së Arsimit për të mbështetur praktikën e studentëve në kompani private. Rreth 100 klasa me arsim të dyfishtë u hapën sipas kësaj skeme, të mbështetura nga partneriteti publiko-privat”, thuhet në raport.
Ligji për arsimin e të rriturve ende nuk është miratuar, kërkesë e kamotshme e Bashkimit Evropian.
“Shpenzimet publike për arsimin dhe trajnimin u ulën lehtë në 3.71% të PBB-së në vitin 2022 (3.98% në 2021), që është ende shumë nën mesataren e BE-së prej 5%. Megjithëse është bërë njëfarë progresi në arsimin parashkollor, niveli i përgjithshëm i regjistrimit mbeti më i ulët se standardet rajonale dhe të BE-së, veçanërisht për fëmijët romë. Ndërsa objektivi i BE-së për arsimin dhe trajnimin për edukimin dhe frekuentimin e kujdesit në fëmijërinë e hershme është vendosur në 96%, vetëm 42% e 3-6 vjeçarëve u regjistruan në institucione të licencuara të edukimit të fëmijërisë së hershme në vitin 2022. Përveç zgjerimit të kapacitetit për të zgjeruar arsimin parashkollor për më shumë fëmijë, u rrit cilësia e arsimit parashkollor”, thekson raporti i KE-së.