LajmeRajon

KQZ: Kemi pranuar e-mail me formularin ku kërkohet shkarkimi i kryetarëve në katër komunat në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar katër e-maile, prej të cilave tre e kanë të bashkangjitur formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se këto shkresa do të trajtohen dhe do të informojnë publikun.

“Mund t’iu konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-mail zyrtar, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë, mund t’iu them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’iu informojmë për këtë”, ka thënë Elezi.

Ndryshe, siç raportuan mediat në gjuhën serbe në veri të Kosovës, në katër komunat veriore një grup i qytetarëve serbë kanë provuar të dorëzojnë një ‘kërkesë’ për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë ashtu siç parashihet në udhëzimin administrativ të miratuar kohë më parë, por sipas këtyre mediave kjo nuk ka qenë e mundur.

Në lidhje me këtë kryetari i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin, ka thënë se kjo “kërkesë” e qytetarëve nuk i është dorëzuar zyrtarisht.

Ai në një prononcim për Telegrafin ka thënë se këto lloj iniciativash nuk janë në përputhje me udhëzimin administrativ të Qeverisë së Kosovës për zëvendësim të kryetarit.

Sipas tij, një kërkesë të tillë e ka parë në një mesazh në një telefon të dikujt tjetër.

“E kam pa që po qarkullon një kërkesë e tillë, por unë nuk kam marr zyrtarisht një kërkesë të tillë. E kam pa në një telefon, kërkesa i ishte drejtuar ekzekutivit që s’janë të kënaqur me punën e komunës dhe të kryetarit dhe po kërkojnë shkarkimin e që është në kundërshtim me udhëzimin administrativ. Ne nuk merremi nëse nuk na vjen ndonjë kërkesë me shkrim”, ka thënë Uglani.

Show More

Related Articles

Back to top button