Ministria e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska pret që deri në fund të dhjetorit të fillojë pagesa e pakos së re të masave antikrizë, pasi Ligji për mbështetje financiare të kalojë në seancën e Qeverisë dhe në Kuvend.
Në deklaratën për mediat, Trençevska tha sot se ligji nesër do të prezantohet në seancën e Qeverisë ku pritet që javën e ardhshme të kalojë në Kuvend.
“Deri në fund të dhjetorit duhet të fillojmë pagesën e pakos së re të masave antikrizë, si për pensionistët ashtu edhe për përfituesit e të drejtave që mbulohen nga masat antikrizë, si dhe për studentët. Nesër Qeveria do ta miratojë Ligjin për mbështetje financiare i cili pres që javën e ardhshme të kalojë në Kuvend, sepse është jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët. Nuk pres asnjë pengesë nga opozita. Me miratimin e ligjit do të publikohen edhe mënyrat se si qytetarët të aplikojnë për disa nga masat. Në masat e zbatuara nga MPPS-ja nuk ka asnjë aplikim, gjegjësisht sipas pagesave të fundit të të drejtave dhe pensioneve, mjetet do t’u paguhen qytetarëve”, tha Trençevska.
Pakoja e nëntë e masave antikrizë me vlerë 662 milionë euro përmban 26 masa për sigurimet sociale, që synojnë mbështetjen për kategoritë e cenueshme të qytetarëve dhe kompanive, si dhe mbështetjen për tejkalimin e vështirësive në kushte të rritjes së kostove të jetesës, por edhe në kushtet e efekteve të zgjatura të krizës energjetike.
Me masat që u prezantuan në fund të nëntorit përfshihen 120.000 të rinj, mbi 74 mijë kategori të rrezikuara sociale të qytetarëve, mbi 187 mijë pensionistë, 40.000 bujq, pothuajse 540.000 shfrytëzues të aplikacionit TVSH-ja ime, 600.000 amvisëri, si dhe mbi 70.000 kompani.
Trençevska është optimiste edhe për mundësinë e uljes së pagave të zyrtarëve edhe krahas vërejtjes së kryeministrit se është e ndërlikuar të arrihet.
“Është komplekse dhe e vështirë, por jo e pamundur. Dhe nuk heq dorë nga ajo që deri në fund të vitit të gjendet zgjidhje për uljen e pagave të funksionarëve”, tha Trençevska në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas pjesëmarrjes në tryezën e rrumbullakët të OSBE-së kushtuar forcimit të luftës kundër dhunës në familje.