Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, anuloi planet t’u lidhur drejtpërdrejt me video me ligjvënësit amerikanë për t’u bërë thirrje atyre që të miratojnë ndihmat për vendin e tij, ndërsa një betejë partiake lidhur me politikat amerikane të imigracionit kërcënon të minojë kërkesën e Presidentit Joe Biden për miliarda dollarë ndihma për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
Republikanët dhe demokratët kanë debatuar për javë të tëra në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve mbi kërkesën e bërë në tetor nga zoti Biden që Kongresi të miratojë një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin, dhe fonde për shtimin e sigurisë në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën dhe interesat amerikane në Indo-Paqësor.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, tha se fondet për Ukrainën, e cila po lufton agresionin rus që nga shkurti i vitit 2022, duhet të lidhen me një “ndryshim transformues” të politikës amerikane për imigracionin.
Senati i kontrolluar nga demokratët paraqiti një projektpropozim prej 110.5 miliardë dollarësh që trajton kërkesën e presidentit. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se ai do të përpiqet të thyejë ngërçin duke u ofruar republikanëve mundësinë për të shtuar një amendament për kufirin tek ligji i ndihmave për Ukrainën dhe Izraelin.