LajmeMaqedoni

Angjushev paralajmëron ankimimin e vendimit të DASH-it

Ish zëvendëskryeministri Koço Angjushev e cilëson si të padrejtë vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për ta futur atë në listën e zezë amerikane dhe thotë se do ta ankimojë. Një ditë pasi emri i tij u kumtua si person i cili ka abuzuar me detyrën zyrtare gjatë kohës sa ishte zëvendëskryeministër vlerëson se gjatë punës së tij nuk ka shkelur ligjin dhe se këtë e dëshmon fakti se ndaj tij nuk ka asnjë proces gjyqësor.

“I refuzoj të gjitha konstatimet e publikuara në dokumentin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Njëkohësisht dua ta njoftoj opinionin se do ta ankimoj vendimin dhe do t’i shfrytëzoj të gjitha mekanizmat juridikë me qëllim tërheqjen e këtij vendimi, i cili për momentin është i panevojshëm në domenin e angazhimeve të partnerit tonë strategjik në luftën kundër korrupsionit. Katër vite pas tërheqjes time vullnetare nga pozita e zëvendëskryeministrit ndaj meje nuk asnjë proces gjyqësor”, tha Koço Angjushev, ish zëvendëskryeministër.

Në arsyetimin e DASH-it potencohet se vendimi për Angjushevin “konfirmon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe zvogëlon aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efikase nevojave të popullit të tyre.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Price Ageler tha se lista e zezë amerikane do të zgjerohet edhe me persona të tjerë të përfshirë në korrupsion, por shtoi se sanksionet nga SHBA-të nuk mund të zgjidhin epideminë e korrupsionit por mbetet që funksionarët dhe qytetarët të kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshime. Angjushev rezulton të ketë kompani të regjistruara në Britani të Madhe, Gjermani, Holandë dhe SHBA. Në vitin 2021 kompania e tij “Brako” kishte në SHBA makineri për pastrim të cilat ishin përdorur për nevojat e Shtëpisë së Bardh gjatë përgatitjeve për inaugurimin e presidentit Xho Bajden. Në listën e zezë janë bashkëngjitur edhe emrat të tjerë të familjes Angjushev si bashkëshortja Elizbeta dhe dy fëmijët Angell dhe Ognen Angjushev. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button