LajmeMaqedoni

LEN: Rezultatet e testimit PISA janë dëshmia e falimentimit të arsimit në RMV

Këtë javë dolën rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA, në të cilat Maqedonia e Veriut është ranguar në 10 vendet e fundit nga gjithsej 81 vendet në të cilat është realizuar ky testim, ndërsa kjo rënie vazhdon secilin vit më poshtë e më keq, kështu thuhet në reagimin e Lidhjes Europiane për Ndryshim (LEN).

“Edhe sivjet, qoftë në rezultatet e leximit, gjuhëve, matematikës ose të shkencës, nxënësit e shkollave të vendit tonë kanë treguar rezultate që janë zhgënjyese. Megjithatë, fajtorët e fundit në këtë lajm të keq janë nxënësit e testuar. Ata janë viktimat e një sistemi që e ka prodhuar këtë gjendje të falimentimit të arsimit. Partizimi i arsimit përmes drejtorive, punësimet partiake, mungesa e teksteve shkollore, mungesa e objekteve dinjitoze, politikat arsimore që nuk shfaqin kurrfarë interesimi për sukses në arsim, që vijojnë tashmë disa vjet, janë vetëm disa nga arsyet për këtë gjendje në arsim. Një shtet që është i fokusuar në biznese të zeza, që është i zhytur në krim, korrupsion dhe i përqendruar në zhvillimin e lojërave të fatit e kazinove, sigurisht që nuk mund të presë suksese më të mira në arsim. Deri tash nuk kemi parë dikë që e ka pasur në fokus arsimin ose që ka pasur ndonjë plan investimi për më shumë sukses në arsim. Për fat të keq, tashmë në disa cikle këtë dikaster e kanë udhëhequr kuadro të Bashkimit Demokratik për Integrim, rrjedhimisht edhe aktualisht, dhe ata janë fajtorët e drejtpërdrejtë dhe të përveçëm të kësaj gjendjeje në arsim. Ata deri tash nuk kanë ofruar asgjë për cilësinë e arsimit. Në fakt, oferta e vetme e tyre ka qenë dhe është shndërrimi i shkollave, madje edhe i universiteteve, në degë të partisë dhe ndërmarrje për punësimin e militantëve partiakë. Pasioni i tyre për monopol politik mbi arsimin i ka tejkaluar edhe përmasat e kohës së monizmit. Përveç diferencimeve të të gjithëve që nuk ishin me ata, njësoj si në kohën e Jugosllavisë socialiste, kur Tito bëhej akademik, edhe universitetet e kohës sonë vrapuan t’i bëjnë liderët e partive doktor honoris causa, duke e poshtëruar kështu univeristetin si “Bashkësia e Mësuesve dhe Studentëve”. Se në cilën gjendje është arsimi, përveç testeve PISA, flet edhe mendësia provinciale që akoma e lufton mësimin në gjuhën amtare, siç ishte rasti me nxënësit e Çashkës”, thuhet në reagim.

Nga Lidhja Europiane për Ndryshim bëjnë të ditur se do të jene jashtëzakonisht të fokusuar në arsim, duke bërë investimin më të madh pikërisht në zhvillimin e arsimit.

“Nuk mund të lejojmë akoma të jemi vrasës të ardhmërisë sonë. Prandaj, nga maji i vitit tjetër vjen një epokë e re jo vetëm për demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe drejtësinë në vendin tonë, por veçanërisht për arsimin, për çka do të dëshmojnë edhe testimet e viteve të ardhshme”, thonë nga LEN.

Show More

Related Articles

Back to top button