Ka nisur punimet Kongresi i Partisë Socialiste, që është mbledhur këtë të premte (8 dhjetor). Nga Pallati i Kongreseve, para socialistëve, Ministrja Elisa Spiropali e vuri theksin te domosdoshmëria për të ndryshuar Shqipërinë, për ta bërë vendin, siç u shpreh ajo, “Europa në Ballkan”.
Sipas Spiropalit, sfida e PS-së është e ardhmja dhe projektimi i Shqipërisë si një vend Europian. Për ta bërë këtë, Spiropali u shpreh se nevojitet edhe një reformim i PS-së “për të fituar luftën me kohën”.
“Shqipëria ka ngut për të jetuar, ndryshuar, për t’u përmirësuar për t’u bërë vendi i duhur për të punuar e jetuar, për t’u bërë Europa në Ballkan, për ta parë Ballkanin si shtëpi europiane. Shqipëria po vrapon për të bërë në sa më pak vite atë që vendet e tjera e kanë bërë në dhjetëra apo qindra vjet. Liria dhe shteti i së drejtës nuk janë akte që realizohen në një natë, por janë akte që kërkojnë durim, sakrificë dhe vendosmëri, përkushtim dhe tolerancë. Ne socialistët kemi dëshmuar se dimë të marrim përgjegjësi.
Misioni ynë politik është të ndryshojmë si Shqipëria, organizata jonë politike duhet të ndryshojë edhe më shpejt për të fituar betejën me kohën, për të triumfuar në mision për ta bërë Shqipërinë Evropën e Ballkanit. Sfida jonë është e ardhmja dhe projektimi i pakthyeshëm si një vend Evropian, një vend më i mirë qeverisur, më i drejtë, me më shumë mundësi jetese, me standarde. Por nuk ka asnjë të ardhme të sigurt pa qortimin e së drejtës. Çdo krim duhet të ketë ndëshkimin e tij. Gjykata e Strasburgut shkroi një vendim për tragjedinë e 21 janarit, atë që PS e ka thënë, gjykim i pa plotë i përfaqësuesve të shtetit të përfshirë në krim. Reforma në Drejtësi është një nga projektet më madhore që kemi marrë. Është historike ajo që është bërë sepse në Shqipëri, pavarësisht qeverive, nuk ka patur drejtësi”, u shpreh Spiropali.
Ministrja nuk la pa shigjetuar as opozitën, teksa sjelljen e tyre në Kuvend e cilësoi si “piromanë”
“Disa sillen si piromanë në Kuvend, disa e djegin. Sa herë ka ballafaqime elektorale, ata do të humbin, ne do të fitojmë. Ne nuk na ndan prej tyre barrikada nuk na ndikon mos të shohim flakadanët që ndezin në Parlament. Ne jemi institucion lirie, ata i marrjes peng të institucioneve. Ata po i tmerron frika e orës së të vërtetës. Filozofia e tyre shkon në krah të kundërt me vullnetin e shqiptarëve, ndërkohë ata e kurdisin sahatin e tyre me akrepat e ’97-ës”.