Kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski, edhe një herë i bëri thirrje kryetares së Shkupit, Danela Arsovska, që me muaj të tërë nuk ka ardhur në mbledhjet e këshillit, gjë që krijon perceptim për probleme në funksionimin e Këshillit, transmeton Portalb.mk.
“Dua ta bëj punën time në mënyrën më të mirë, kam takuar dhe përballur shumë personazhe në jetën time. Ajo që shihet nga jashtë është se Këshilli i Qytetit të Shkupit dhe Qyteti i Shkupit kanë probleme në funksionim sepse kryetarja nuk dëshiron fare të komunikojë me Këshillin e Qytetit të Shkupit”, tha Sllaveski në një prononcim për “Radio Lider” mëngjesin e sotëm.
Dje, siç theksoi kryetari i Këshillit, ishte afati për dorëzimin e propozim-buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2024. Propozimi, thotë ai, ende nuk është dorëzuar, duke shtuar se për këtë nuk është konsultuar asnjë grup këshilltarësh në Qytetin e Shkupit.
“Dje kaloi afati i fundit ligjor për dorëzimin e buxhetit apo propozim-buxhetit në Qytetin e Shkupit për vitin 2024. Në rregull, ishte e diel dhe presim që shërbimet ta marrin sot. Dëgjoj ankesa nga të gjitha grupet e këshilltarëse se askush nuk konsultohet për asgjë, nuk ka proces gjithëpërfshirës, diçka që është e paprecedentë në praktikën e informimit tim për funksionimin e qytetit të Shkupit dhe komunave tjera të Republikës së Maqedonisë, të cilat me muaj i kanë përfshirë edhe vetë këshilltarët që edhe ata të kontribuojnë në krijimin e buxhetit dhe janë ata që duhet të ngrenë dorën dhe ta votojnë buxhetin”, tha kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Sllaveski tha se kryetarja Arsovska ka tetë muaj që nuk ka ardhur në seancat për t’i bërë pyetje këshilltarët, ndërsa nga ana tjetër këshilltarët dëshirojnë që ajo të jetë e pranishme në mënyrë që drejtpërdrejt t’i bëjnë pyetjet me interes për qytetarët.
Mosmarrëveshjet mes këshilltarëve dhe Arsovskës janë të herëpashershme. Së fundmi NTP “Shkup” nuk mori subvencione të reja nga buxheti i Qytetit të Shkupit. Në mbledhje këshilltarët në Këshillin e Qytetit të Shkupit nuk e votuan kërkesën e kryetares Danela Arsovska për ndarjen e 1,8 milionë eurove të reja për ndërmarrjen që transporti publik të funksionojë pa probleme.