LajmeRajon

Kurti shkruan për vizitën në Berlin, jep detaje për takimet që pati atje

Kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje për vizitën e tij në Berlin, ku së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku dhe nënkryetaren e dytë të VV-së, Mirka Limani-Myrtaj, morën pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, SPD-së.

Atje, Kurti u takua edhe me kancelarin Olaf Scholz.

“E në margjina të Kongresit, takimi me kancelarin Scholz dëshmoi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dyja vendet”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka theksuar se Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë.

“Fuqizimi i bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat ishte fokus i bisedës dhe me sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi, si dhe me kryetarin e SPD-së, njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil. Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë. Biseduam dhe rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, procesin e dialogut e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian”, ka shtuar Kurti.

Gjithashtu, shefi i ekzekutivit kosovar është takuar edhe me mërgatën shqiptare që jeton atje.

“Nuk mund të mungonte dhe takimi me mërgatën, ku biseduam mbi një mori temash, i interesuar jo vetëm për t’i informuar me ecurinë e aktualitetin e vendit tonë, por edhe për të dëgjuar rreth jetës e përvojës së tyre, përshtypjeve e ideve të diasporës”, ka përfunduar Kurti.

Show More

Related Articles

Back to top button