Vladimir Putin njoftoi të premte se do të rikandidojë për president, por kë do të ketë përballë? Një grua e panjohur po sfidon liderin rus. Ajo quhet Yekaterina Duntsova, 40 vjeç, gazetare, avokate dhe nënë e tre fëmijëve, që pavarësisht eksperiencës së vakët politike synon të rrëzojë nga froni Putin në zgjedhjet e 17 marsit 2024.
Ajo është zotuar për paqe me Ukrainën, lirimin e kritikëve të burgosur të qeverisë dhe paraqitjen e Rusisë me një ‘fytyrë humane’, që dëgjon shqetësimet e qytetarëve. Sipas saj, kjo mund t’u japë shpresë kundërshtarëve të operacionit ushtarak në Ukrainë, centralizimit të pushtetit dhe dorës së hekurt ndaj disidencës. Duntsova është e vetëdijshme për rrezikun.
“Nga etiketimi si agjente e huaj deri tek burgimi. Mund ta imagjinoj se cilat do të jenë pasojat për mua”, deklaroi Yekaterina Duntsova, kandidate për presidente, Rusi:
E pyetur se si do të duket Rusia në rast se fiton, ajo shprehet: “Së pari do të jetë një Rusi me fytyrë humane, që nuk është e mbyllur, por paqësore, miqësore dhe gati të bashkëpunojë me këdo bazuar tek respekti. Mbi të gjitha, ky respekt duhet të shtrihet në gjithë vendin. Është e rëndësishme të pajtojmë njerëzit që jetojnë këtu”.