Presidenca e Samitit global për Klimën COP28, e ka miratuar një marrëveshje për klimën, e cila, për herë të parë, i nxit shtetet që të bëjnë tranzicion prej lëndëve djegëse të papërpunuara, në mënyrë që të shmanget më e keqja në ndryshimet klimatike.
Marrëveshja reflekton një konsensus të gati 200 shteteve të mbledhura në Dubai, ndonëse shumë qeveri kanë insistuar në gjuhë më të ashpër, që nënkupton dhënien fund të përdorimit të lëndëve djegëse të papërpunuara, mirëpo diçka e tillë është kundërshtuar prej vendeve prodhuese të naftës.
“Kjo është hera e parë që bota bashkohet për një tekst që flet qartë për nevojën e tranzicionit nga lëndët djegëse të përpunuara. Ka qenë problem i padiskutueshëm, që më në fund ka marrë vëmendje”, ka thënë ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide.
Liderët e kanë miratuar dokumentin të mërkurën duke iu dhënë fund negociatave të vështira dyjavëshe.
Marrëveshjet e arritura në samitet e Kombeve të Bashkuara duhet të miratohen me konsensus, dhe më pas secili shtet është përgjegjës për zbatimin e tyre, përmes politikave dhe investimeve kombëtare.
Synimi i kësaj marrëveshjeje është që deri më 2050 të mos ketë nxjerrje të dioksidit të karbonit në natyrë prej këtyre lëndëve djegëse. Në të bëhet thirrje edhe për trefishim të kapacitetit për energji të ripërtrishme deri më 2030, që të rriten përpjekjet për ta zvogëluar përdorimin e thëngjillit, dhe që të punohet drejt dekarbonimit të industrive.
Kjo marrëveshje shënon herën e parë në dekada që shtetet janë pajtuar për të hequr dorë gradualisht nga nafta, gazi dhe thëngjilli, përmes së cilave prodhohet rreth 80 për qind e energjisë në botë.
Shkencëtarët kanë thënë se këto lëndë djegëse përbëjnë burimin kryesor të emetimit të gazrave serrë, të cilat më pas ndikojnë në ndryshimet klimatike.