Izraeli përballet me izolim diplomatik në rritje, në luftën kundër Hamasit, teksa Kombet e Bashkuara kanë kërkuar armëpushim humanitar të menjëhershëm në Gazë.
Hamasi, grup radikal që udhëheq Gazën me 2.4 milionë palestinezë, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka thënë të martën aletit të ngushtë të SHBA-së, Izraelit, se bombardimet pa dallim të civilëve janë duke dëmtuar mbështetjen ndërkombëtare.
Pas paralajmërimeve të disa zyrtarëve të OKB-së për thellim të krizës humanitare në Gazë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e ka miratuar të martën një rezolutë që bën thirrje për armëpushim.
Në të mirë të rezolutës kanë votuar shumica e 193 vendeve anëtare.
“Çmimi i mposhtjes së Hamasit nuk mund të përkthehet në vuajtje të vazhdueshme për të gjithë civilët palestinezë”, kanë thënë liderët e Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re, përmes një deklarate ndaras që bënte thirrje për armëpushim.
Autoriteti Palestinez e ka mirëpritur rezolutën dhe u ka bërë thirrje vendeve që t’i bëjnë presion Izraelit për ta respektuar dokumentin e miratuar.
Në zyrtar i Hamasit në ekzil, Izzat El-Reshiq, ka thënë përmes një deklarate në platformën Telegram, se Izraeli duhet t’i japë fund “agresionit, gjenocidit dhe spastrimit etnik të njerëzve tanë”.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, të cilat besojnë se armëpushimi shkon vetëm në të mirë të Hamasit, kanë votuar kundër masës, bashkë me tetë shtete tjera.
Para miratimit të rezolutës, Biden ka thënë se Izraeli tani e ka mbështetjen e pjesës më të madhe të botës, përfshirë SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, për ta luftuar Hamasin.
“Mirëpo do të nisë ta humbë atë mbështetje për shkak të bombardimeve pa dallim që po ndodhin”, ka thënë ai prej Uashingtonit.
Një tjetër shenjë e dallimit në qëndrime ka qenë se Biden ka thënë që kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duhet ta ndryshojë qasjen e tij të ashpër qeveritare, dhe që në fund Izraeli “nuk mund t’i thotë jo”, një shteti të pavarur palestinez – diçka që e kundërshtojnë izreaelitët e linjës së ashpër.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, do të udhëtojë këtë javë në Izrael, ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin do ta vizitojë Lindjen e Mesme në javën tjetër.
Biden dhe Sullivan do ta vënë në pah përkushtimin e SHBA-së ndaj Izraelit, si dhe nevojën për mbrojtje të civilëvë në Gazë.
Sulmet e Izraelit në Gazë, për ta çrrënjosur Hamasin, kanë vrarë të paktën 18.205 palestinezë, përfshirë shumë fëmijë, dhe kanë plagosur rreth 50.000 të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Konflikti ka rezultuar me uri të madhe, zhvendosje të 85 për qind të popullatës prej shtëpive të tyre dhe ka rritur mundësitë për përhapje të sëmudjeve, sipas OKB-së.
Izraeli e ka nisur luftën ndaj Hamasit, pasi militatët e tij kanë vrarë 1.200 njerëz dhe kanë marrë 240 pengje në një sulm në jug të Izraelit, më 7 tetor.
Rezoluta e OKB-së nuk është detyruese, mirëpo ka peshë politike, sepse reflekton qasjen e botës ndaj luftës./rel