LajmeRajon

Arsyetimi i Apelit për lënien në paraburgim të Naim Murselit dhe dy të dyshuarve tjerë për vrasjen e Liridonës

Gjykata e Apelit, me vendimin e 13 dhjetorit 2023, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Naim Murseli, avokatit Ahmet Ahmeti, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 3 dhjetorit 2023, me të cilin Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimin për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

Në vendimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur sepse ekzistojnë arsye të besueshme se nëse të pandehurit gjenden në liri, do të arratisen dhe do të mund të largohen nga vendi.

Aty thuhet se pas vendimit të Themelores, mbrojtësi i të dyshuarit Murseli, ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj klientit të tij.

“Mbrojtësi i të pandehurit N.M avokati A.A, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të KPP-së dhe shkeljes së dispozitave të Konventave Ndërkombëtare, me propozim që Gjykata e Apelit e Kosovës ta aprovoj si të bazuar ankesën e tij, ta prish aktvendimin e ankimuar, dhe të mbrojturit tim të ia ndërpres masën e paraburgimit dhe të njëjtit ti mundësohet mbrojtja në liri apo ta ndryshoj, ashtu që t’i shqiptohet ndonjëra nga masat alternative të përcaktuara ne nenin 171 të KPPRK-së”, thuhet në vendim.

Sipas ankesës së avokatit Ahmeti, në shkresat e lëndës nuk ka prova të cilat do të arsyetonin caktimin e paraburgimit mbi këtë bazë.

“Arsyeja e dytë e caktimit të paraburgimit bazohet në nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.1, se gjoja ekziston rreziku se i pandehuri do të arratiset për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, duke pasur parasysh faktin se për këto vepra penale parashihet dënim i lartë me burgim dhe për shkak të faktit se gjoja i pandehuri ka ikur nga vendi i ngjarjes.”, citohet të thuhet në ankesën e avokatit.

Tutje, sipas Apelit, mbrojtja e Murselit pretendon se në arsyetimin për masën e paraburgimit në të cilën thuhet se ekziston mundësia për asgjësim, fshehje apo falsifikim të provave, avokati Ahmeti thotë se nuk qëndrojnë këto rrethana.

“Arsyeja e tretë si arsyetim i mbështetur në nenin 184 paragrafi 1 pika 1.2.2 të KPP-ës për caktimin e masës së paraburgimit-mundësia e asgjësimit, fshehjes, ndryshimit ose falsifikimit të provave të veprave penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se i mbrojturi do të pengoj rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar eventual, ose në bashkëpjesëmarrësit, nuk qëndron asesi”, thuhet po ashtu në ankesë.

Por, Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Murseli.

Sipas vlerësimit të Apelit në aktvendimin e ankimuar, gjykata e shkallës së parë ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar ndaj të dyshuarve, që sipas gjykatës një gjë e tillë është kusht për masën e caktuar për paraburgim.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, pretendimet e mësipërme ankimore janë të pabazuara. Në aktvendimin e ankimuar, gjykata e shkallës së parë drejt ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit N. M., G.P dhe K.K, kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, kusht ky qenësorë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre, konform nenit 184 par 1 nen par 1.1 e 1.2 pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së, sepse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale që iu vihen në barrë e që ky dyshim vërtetohet edhe në bazë të: Raportet policore, Vërtetimi mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve i datës 01.12.2023, CD-ja me video incizime të vendit të ngjarjes, foto dokumentacioni, i vendit të ngjarjes, deklaratat e dëshmitarëve, deklarata e të pandehurve, nga e kaluara kriminale si dhe shkresat e tjera”, thuhet në vendimin e Apelit.

Pas të gjitha këtyre provave, Apeli thotë se Themelorja vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se plotësohet kushti i përgjithshëm – dyshimi bazuar i paraparë me nenin 184 par. l. Nën par. 1.l të KPPRK-së, e që është bazë ligjore e përgjithshme, për caktimin e masës së paraburgimi.

Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Ndryshe, të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor i është caktuar masa e paraburgimit.

I dyshuari i katërt u arrestua më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

Më 3 dhjetor, Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej një muaji tre të dyshuarve për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Liridonës janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si organizator i vrasjes, Granit Plava si doras dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe T.D, për shitje të armeve të pandehurve Murseli dhe Plava.

Show More

Related Articles

Back to top button