Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Evropian (BE) po ndihmojnë në forcimin e integrimit rajonal dhe lidhjes në Ballkanin Perëndimor përmes ndërtimit të kalimit të parë të përbashkët kufitar hekurudhor midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, transmeton Portalb.mk.
Vendkalimi i ri i përbashkët kufitar hekurudhor do të ndërtohet në rrugën hekurudhore të Korridorit 10, e cila është pjesë e Rrjetit të zgjeruar Trans-Europian të Transportit (TEN-T) të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Një kalim i përbashkët kufitar do të përmirësojë efikasitetin, do të zvogëlojë kohën e pritjes në kufi dhe do të lehtësojë udhëtimin për njerëzit dhe transportin e mallrave. Kapacitetet e reja do të përdoren nga institucionet e të dy vendeve, të cilat do të kontribuojnë në optimizimin e procedurave kufitare dhe kontrollit doganor. Me këtë funksionimi i të gjithë të interesuarve në stacion do të jetë më i shpejtë dhe më efikas.
Projekti financohet me paketën e përbashkët financiare, e cila konsiston në një kredi prej 5 milionë eurosh nga BERZH dhe një grant prej 2.5 milionë eurosh të siguruar nga Bashkimi Evropian përmes Programit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (PIBP).
Investimi përfshin përmirësimin e ndërtesave ekzistuese të stacionit të trenit dhe ndërtimin e ndërtesave të reja shtesë, si dhe pajisjeve përkatëse. Kjo do të çojë në përmirësimin e efikasiteti energjetik, nëpërmjet standardeve më të larta të efikasitetit të ndërtesave dhe instalimit të paneleve fotovoltaike.
Fatih Turkmenoglu, drejtor i BERZH për Maqedoninë e Veriut, tha: “Ne jemi të kënaqur të mbështesim Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut në përpjekjet e saj për të përmirësuar infrastrukturën hekurudhore në vend. Përmirësimi i hekurudhave – një mënyrë transporti më e sigurt dhe më e gjelbër – jo vetëm që do të përmirësojë lidhjen rajonale dhe do të hapë mundësi të reja ekonomike dhe tregtare, por gjithashtu do të ndihmojë në zgjidhjen e krizës energjetike. Deri më sot, BERZH ka dhënë më shumë se 250 milionë euro për sektorin hekurudhor në Maqedoninë e Veriut dhe ne jemi të vendosur të shohim përmirësimin dhe modernizimin e këtij sektori strategjik për vendin dhe rajonin”.
David Gir, ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, tha: “Falë investimit të rëndësishëm të Team Europe, i cili përfshin një grant investimi prej 2.5 milionë euro, pasagjerët dhe transporti i mallrave midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut së shpejti do të përfitojnë nga lehtësirat e përmirësuara të kalimit kufitar nëpërmjet ndërtimit të një stacioni të përbashkët hekurudhor dhe pikëkalimit kufitar. Në praktikë, kjo duhet të reduktojë kohën e kalimit kufitar, duke e bërë udhëtimin me tren më tërheqës përgjatë vetë Korridorit 10, i cili është jetik në drejtimin veri-jug.”
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, shprehu kënaqësinë për mbështetjen e vazhdueshme që merr vendi nga BERZH dhe BE.
“Kjo është vetëm një pjesë e listës së gjatë të projekteve me të cilat kemi punuar në periudhën e kaluar për të siguruar mjete financiare për realizimin e tyre, të cilat do të sigurojnë rritje të qëndrueshme dhe konvergjencë më të shpejtë drejt BE-së. Me marrëveshjen e nënshkruar sot marrim 7.5 milionë euro për realizimin e projektit për vendosjen e kalimit të përbashkët hekurudhor me Republikën e Serbisë dhe kjo është pjesë e pakos së madhe prej mbi 700 milionë eurosh për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore për të cilat zgjidhjet ligjore janë miratuar këtë javë të dielën në Kuvend”, tha Besimi.
“Ky është një hap përpara drejt nismës së përbashkët të Republikës së Serbisë për transport të shpejtë dhe efikas të mallrave dhe udhëtarëve. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është gati dhe pret që vitin e ardhshëm të fillojë me ndërtimin e stacionit të përbashkët hekurudhor. Kompletimi i rrjetit rrugor dhe rrugor bazik dhe të detajuar TEN-T në përputhje me standardet evropiane, zvogëlimi i kohës së pritjes dhe procedurat e thjeshtuara në vendkalimet kufitare janë prioritete për të cilat duhet të përpiqen të gjitha vendet në rajon”, tha ministri Bllagoj Boçvarski.
Krijimi i pikës së përbashkët kufitare është identifikuar si një prioritet i madh investimi për përmirësimin e zhvillimit rajonal dhe rritjen e ndërgjegjësimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor për përfitimet e lidhjes hekurudhore të përmirësuar dhe efikase.
Ky projekt është pjesë e Agjendës së Lidhshmërisë së Komisionit Evropian dhe promovon masa reformuese për një lidhje më të mirë përmes krijimit të stacioneve të përbashkëta të kalimit kufitar në vendet e Ballkanit Perëndimor, të gjitha me qëllim lehtësimin e transportit hekurudhor. Ai përfaqëson një nga prioritetet kryesore të investimeve, i cili është i përfshirë në Strategjinë Kombëtare të Transportit të Maqedonisë së Veriut (2018-2030), dhe është pjesë e Planit të Veprimit për Komunitetin e Transportit për vendin.
BERZH është një nga investitorët kryesorë institucionalë në Maqedoninë e Veriut. Deri më sot ka investuar mbi 2.6 milionë euro në 181 projekte, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, nga të cilat 200 milionë euro janë investuar për modernizimin e hekurudhave dhe pjesëmarrjen në financimin e Korridorit 8 dhe 10 hekurudhor.
Kujtojmë se më 12 dhjetor, mbi 560 milionë euro janë siguruar për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në infrastrukturën hekurudhore. Pesëqind milionë euro janë siguruar për realizimin e fazës së tretë të hekurudhës së Korridorit 8 drejt Republikës së Bullgarisë dhe 7.5 milionë euro për ndërtimin e vendkalimit të përbashkët hekurudhor në Tabanovc.