Në komuna me mjete të ndara nga buxheti i shtetit do të realizohen kopshte të reja, shkolla, rrugë dhe projekte të tjera ndërtimore. Qeveria në seancën e djeshme mori vendim për konvertimin e mjeteve buxhetore prej dy miliardë denarë, të cilat do të destinohen për realizimin e 66 projekteve, kryesisht në komunat e vendit, përfshirë qytetin e Shkupit, Qendrën, Gjorçe Petrovin, Sarajin, Aerodromin, Ohrin, Makedonski Brodin, Manastirin, Kriva Pallankën, Shtipin, Likovën, Kërçovën, Vallandovën, Strumicën, Rosomanin, Dojranin, Berovën, Dellçevën, Zhelinën, Gostivarin dhe komuna tjera.
“Me vendim është paraparë që këto mjete të dedikohen për realizimin e projekteve që do të plotësojnë nevojat e qytetarëve në nivel lokal, si ndërtimi dhe zgjerimi i institucioneve arsimore dhe shëndetësore, objekteve sportive, pastaj realizimi i projekte në fushën e infrastrukturës, si dhe projekte në fushën e mbrojtjes së mjedisit, të cilat ndikojnë në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve”, njofton shërbimi për shtyp i qeverisë.
Nga projektet e infrastrukturës rrugore, gjithsej 360 milionë denarë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do t’i ndahen qytetit të Shkupit për ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina” në lagjen Vizbeg. Ndër projektet më të mëdha, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do të ndajë 110 milionë denarë për rindërtimin e rrugës “8 Shtatori” në Orizar të Epërm të Manastirit.
Mjete do të ndahen edhe për përfundimin e urës “Ljubljanska” në lagjen Karposh 3 në Shkup. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndan 100 milionë denarë për vazhdimin dhe ngritjen e SHF “Bllazhe Koneski” në komunën e Aerodromit, ndërsa me mjete të kësaj ministrie do të ndërtohet SHF “Kliment Ohrit” në fshatin Draçevë dhe është planifikuar ndërtimi i shkollës së re fillore “Kërste Misirkov” në Singeliq, Komunën e Gazi Babës.
Me mjete të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të ndërtohet një sallë sportive në SHF “Vanço Nikoleski” në fshatin Leskoec të Ohrit, si dhe do të rindërtohet dhe përshtatet hapësira për objektin e ri shkollor për nevojat e ShF “Koço Racin” në Ohër.
Do të ndërtohen edhe kopshte të reja. Me mjete nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në vlerë prej 60 milionë denarë, në kuadër të JOUDG “Rosica” në Stopanski Dvor, Komuna Gjorçe Petrov, do të ndërtohet çerdhe e re me kapacitet për 100 fëmijë.
Zgjerime dhe përmirësime janë planifikuar edhe për çerdhet në Komunën e Aerodromit.
Në Prilep do të ndërtohet një fabrikë për riciklimin e mbeturinave me mjete nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë prej 90 milionë denarë. Në sferën e mjedisit është paraparë ndërtimi i impianteve të trajtimit në Çuçer Sandevë dhe Pllasnicë.
Në Komunën e Ilindenit do të bëhet rikonstruksioni i autoambulancës, për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka ndarë tetë milionë denarë për këtë qëllim.
Vendimi i qeverisë parasheh ndërtimin e sallës sportive në Komunën e Shtipit me mjete të Agjencisë për Rini dhe Sport.