LajmeMaqedoni

Gërkovska – Nephew: Javën e ardhshme duhet të mblidhet grupi punues për ndryshime në Ligjin për masat kufizuese

Ndryshimet në Ligjin për masa kufizuese, të cilat duhet t’u mundësojnë institucioneve maqedonase të marrin masa pas publikimit të emrave konkretë në “listën e zezë” amerikane, ishte një nga temat e takimit të zëvendëskryeministries përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë Sllavica Gërkovska me koordinatorin e Departamentit Amerikan të Shtetit për parandalimin global të korrupsionit, Richard Nephew.

Takimi mes Gërkovskës dhe Nephewt, siç informoi sot shërbimi për shtyp i qeverisë, është zhvilluar në kuadër të Konferencës së shteteve nënshkruese të Konventës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kundër korrupsionit, që po mbahet në Atlanta të SHBA-ve.

Ndryshe, nisma për ndryshimin e ligjit është e Gërkovskës dhe vjen pasi disa persona – biznesmenë, ish-zyrtarë dhe aktualë – ishin në listën e sanksioneve amerikane për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të konsiderueshëm.

Për ndryshimet, siç bëri me dije zv.kryeministrja në takimin me Nephewn, javën e ardhshme duhet të mblidhet një grup pune i drejtuar prej saj.

“Ajo e njoftoi Nephewn se me iniciativën e saj ka filluar një procedurë për ndryshimin e Ligjit për masat kufizuese, ku do të përfshihen aktet juridike të SHBA-së, pas së cilës institucionet maqedonase do të kenë mundësi të marrin masa efektive pas publikimit të emrave konkretë në listën e sanksioneve të SHBA-së, për të cilat grupi i punës që ajo drejton do të mblidhet javën e ardhshme”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Gërkovska po ashtu njoftoi se është duke u përgatitur edhe një zgjidhje tjetër ligjore, e cila gjithashtu do të lidhet me listën e sanksioneve të SHBA-së dhe e cila, siç u tha, do të parashikojë një lloj tjetër të sanksioneve specifike.

Nephew, nga ana e tij, përshëndeti përpjekjet e zëvendëskryeministres Gërkovska për krijimin e mekanizmave efikasë në trajtimin e korrupsionit.

“Ai dërgoi mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për parandalimin e korrupsionit, duke përfshirë edhe masat që mundësojnë llogaridhënie për ata që dëmtojnë qytetarët dhe të ardhmen e vendit”, njofton Qeveria.

Kjo do të thotë se Nephew ka konfirmuar atë që disa herë e kishte paralajmëruar ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, se lista e sanksioneve amerikane do të zgjerohet me emra të rinj të qytetarëve të Maqedonisë të përfshirë në korrupsion.

Gërkovska dhe Nephew, shtohet, kanë biseduar edhe për nevojën e forcimit të kapaciteteve të sistemit gjyqësor në fushën e përballjes me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Konkluzioni ishte se kjo çështje duhet të jetë një nga prioritetet strategjike të vendit tonë për periudhën e ardhshme.

Zëvendëskryeministrja informoi se përgatitja e Ligjit për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile është në fazën përfundimtare, për të cilin tashmë është mbajtur debat publik dhe është marrë mendim nga Komisioni Evropian, pas së cilës do të pasojë implementimi i vërejtjeve.

Ndryshimet ligjore të diskutuara në takimin me Nephewn më 23 nëntor, Gërkovska në një intervistë për “TV Sitel” i njoftoi një javë pasi Sergej Samsonenko, gruaja e tij Irina dhe Ratka Kunovska Kamçeva, nëna e Jordan Kamçevit, ishin në “listën e zezë” të ShBA-së. Në listën e sanksioneve ishin edhe pesë kompani të lidhura me Jordan Kamçevit emri i të cilit u fut në “listën e zezë” të SHBA-së në korrik të këtij viti.

Lista e zezë amerikane u riaktuliazua kur më 5 dhjetor, Departamenti i Shtetit e shpalli Angjushevin të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në nivele dukshëm të larta të korrupsionit.

“Gjatë kohës që shërbente si zëvendëskryeministër, Angjushev keqpërdori pozitën e tij zyrtare në favor të interesave të tij private të biznesit, duke minuar besimin e publikut të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Në listë u shtuan gruaja dhe dy fëmijët e tij.

Në deklaratë thuhet se ky veprim tregon se “SHBA-të qëndrojnë në krah të atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë llogari nga zyrtarët e korruptuar publikë”, ndërsa Angjushev paralajmëroi se do ta apelojë vendimin.

Ndërkohë, kujtojmë se në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.

Show More

Related Articles

Back to top button