Procesi i marrjes së vendimeve në samitin e Brukselit një ditë më parë, ka hutuar ish ambasadorët e vendit, shkruan Alsat.
Ata thonë se me votimin e djeshëm edhe përskaj papajtueshmërisë së Hungarisë për Ukrainën, u pa se vendimet mund të merren edhe pa unanimitet të plotë.
Ish Ambasadori Tiomir Ilievski, ditën e djeshme e quajti Bukuresht të dytë për Maqedoninë e Veriut.
“U pa se BE-ja mundi që edhe pa unanimitet të marrë vendime, me dy kushte. Kushti i parë është që një vend të qëndrojë për identitetin dhe sovranitetin e shtetit, sikur Ukraina. Momenti i dytë është të ketë vullnet politik nga ana e BE-së për zgjerim. Shihet qartë se në Maqedoni nuk është as e dyta por nuk ishte as e para. Ky është një turp i madh, të gjithë këto vite çfarë ndodhi.. Ukrainës dhe Moldavisë i dëshirojmë qetësi, por për politikën e BE-së ndaj Maqedonisë, nuk kam fjalë. Pas gjithë asaj që ndodhi dje, ranë maskat, dyftyrësia u tregua, por nuk kemi zgjidhje”, tha Tiomir Ilievski, ish ambasador.
“Veçanërisht dalja e kryeministrit hungarez Orban nga salla ku votohej, u mor vendimi, 27 minus 1, domethënë paska mundur edhe kjo të ndodh. Edhe pse në vetë rregulloren e punës së BE-së duhet të gjithë të votojnë për, të arrihet konsensus për secilin vendim. Mund edhe të mos ishte, të gjendej arsye tjetër, por tash është shumë e thjeshtë, ekzistojnë ato kushte që janë dhënë nga BE, nuk mund ta quajmë vetëm diktat bullgar, nuk e di nëse do të mundej të del Bullgaria nga salla dhe BE-ja të votojë për hapjen e konferencës së dytë…”, u shpreh Gjorgi Velimov, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve.
Një ditë më parë në samitin e BE-së u mor vendimi për fillimin e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa Gjeorgjisë iu dha statusi i vendit kandidat./ Alsat.mk