Statistika inkurajuese, numri i të papunëve është në rënie, ndërsa po rritet numri i të punësuarve në vend. Të dhënat e reja të Entit Statistikor tregojnë se në fund të tremujorit të tretë në vend janë regjistruar 102.134 persona të papunë të moshës nga 15 deri në 74 vjeç. Të njëjtat të dhëna tregojnë se edhe më tej shkalla më e lartë e papunësisë është tek të rinjtë e moshës deri në 29 vjeç. Në vend janë të regjistruar mbi 61.600 të papunë pa arsim apo me arsim fillor, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Papunësia në vend është 12,9% …
Në fund të tremujorit të tretë, në vend u regjistruan 102.134 persona të papunë. Nga ana tjetër, Enti Statistikor numëroi 692.768 të punësuar. Raporti i këtyre dy parametrave tregon se për çdo 6,7 punonjës në shtet ka 1 të papunë. Krahasuar me situatën në tremujorin e parë, të dhënat tregojnë se numri i të papunëve është në rënie, ndërsa numri i të punësuarve është në rritje.
Pavarësisht trendit në rënie të papunësisë, ajo mbetet më e larta tek të rinjtë e moshës deri në 29 vjeç. Sipas strukturës së moshës, shkalla e papunësisë tek personat e moshës pre 15 deri në 29 vjeç është 24%.
Statistikat tregojnë se nga numri i përgjithshëm i të punësuarve, gati 27% janë në institucione shtetërore ose kompani dhe shoqëri aksionare me kapital të përzier (privat-shtetëror). Konkretisht, në sektorin privat punojnë 506.714 persona, ndërsa i gjithë sektori shtetëror dhe kompanitë me pronësi të përzier përfshijnë 186.054 të punësuar. Në sektorin privat me numrin më të madh, 132.554 të punësuar, është industria përpunuese, ndërsa në sektorin shtetëror, me 51.858, janë administrata publike, mbrojtja dhe sigurimi social.
Të papunë: 41,3% maqedonas, 38,4% shqiptarë
Në vend, në fund të muajit tetor, Agjencia e Punësimit regjistroi 103.174 të papunë – punëkërkues aktivë dhe 44.467 persona të tjerë të regjistruar si të papunë “pasivë”. Edhe të dhënat e APRM-së tregojnë se gjatë këtij viti numri i të papunëve është në rënie. Vetëm në muajin tetor ka pasur një “ulje” prej 6.176 personash, nga të cilat 3.578 për shkak të punësimit ndërsa pjesa tjetër janë “fshirë” ligjërisht ose janë bërë punëkërkues aktiv.
Sipas përkatësisë kombëtare, 41,3% e të papunëve janë maqedonas etnik, ndërsa 38,4% janë shqiptarë etnikë. Sipas nivelit të arsimimit, 61.620 të papunë janë pa arsim ose me arsim fillor. Në evidencën e APRM-së në tetor ishin regjistruar edhe 552 magjistra të papunë dhe 13 doktorë shkencash. Gjendja e tregut të punës në vend ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit. Sektori privat paralajmëron se po përballet me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar, ndërsa arsyeja kryesore është largimi i vazhdueshëm i kuadrove nga të gjitha profilet jashtë vendit, duke filluar nga mjekët e deri te punëtorët e ndërtimit. Sipas vlerësimeve të Entit Statistikor, mesatarisht nga vendi largohen nga 12,000 njerëz në vit. Disa nga biznesmenët kërkuan nga qeveria ta rrisë numrin e lejeve për punëtorë nga jashtë për shkak se fuqia punëtore vendase nuk mund t’i plotësojë nevojat e sektorit privat.
“Pa organizimin e një strategjie kombëtare që do të përcaktojë në mënyrë të përhershme interesin e shtetit dhe të biznesit, ne në Maqedoni do të përballemi me vështirësi të mëdha në mbajtjen e bizneseve dhe mbi të gjitha nivelin e shërbimeve që qytetarët i përdorin në baza ditore.
Shembulli i Kroacisë duhet të jetë motiv që ne të organizohemi në një nivel të ngjashëm”, ka thënë për “Portalb”-in, Zoran Koçoski nga Agjencia për Punësim “Kouzon”.
Qeveria ka rritur së fundmi kuotën për lejet e punës për të huajt nga 5.000 në 7.000. Problemet me mungesën e kuadrove u shtuan pasi filloi projekti për ndërtimin e autostradave nga konsorciumi “Behtel dhe Enka”, por mungesë të kuadrove ka në pothuajse të gjithë sektorët, nga veprimtaritë intensive të punës e deri te hoteleria.