LajmeMaqedoni

ASH-në dhe BDI-në i bashkon “Fronti për Europë”

Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Arben Taravarit ende është në dilemë nëse do të shkojnë në zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm vetëm po në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) në kuadër të Frontit për Europë.

PRESSonline.al nga burime partiake mëson se partia e Taravarit tashmë ka realizuar një anketë me anëtarët e saj nëpër degë. Sipas anketës, shumica e anëtarëve të Aleancës për Shqiptarët mendojnë se partia e tyre duhet të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të mendimit se duhet të garojë së bashku me opozitën shqiptare, ndërsa një pjesë shumë e vogël janë të mendimit se duhet të shkojnë në zgjedhje me BDI.

Të njëjtat dilema kanë edhe anëtarët e Kryesisë dhe Kuvendit të partisë. Kryesia e ASH-së javën e ardhshme pritet të mblidhet për të diskutuar vetëm për këtë çështje, ndërsa pas festave të Vitit të Ri pritet të mblidhet edhe Kuvendit i Aleancës për Shqiptarët si organ më i lartë partiak dhe vendos se si duhet të veprojë ASH në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

PRESSonline.al mëson se pavarësisht gjithçkaje, për shkak të orientimit strategjik të shtetit dhe prefiksit euroatlantik, Aleanca për Shqiptarët mund të përfshihet në një koalicion brenda “Frontit për Europë” bashkë me BDI-në dhe LSDM-në.

Arbaen Taravari, siç mëson PRESSonline.al, për këtë qëllim ka zhvilluar një sërë takimesh me diplomatë të huaj, miq të Maqedonisë së Veriut, për të marrë vlerësime, mendime dhe analiza të tyre për këtë çështje.

Taravari është përgëzuar nga diplomatë seriozë për hapin e bërë për të qenë pjesë e koalicionit qeveritar në një moment delikat për vendin dhe për të ruajtur e ushqyer edhe mëtej orientimin europian dhe proamerikan të vendit.(PRESSonline.al)

Show More

Related Articles

Back to top button