Komuna e Ejup Sulltanit nga Republika e Turqisë ka sjellur donacion 180 komplete me veshje sportive për të rinjtë e nëntë klubeve sportive të cilët janë pjesë e Lidhjes Futbollistike Komunale të Gostivarit. Donacioni është pranuar nga kryesuesi i Këshillit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani. Ai me këtë rast, së bashku me përfaqësuesit e Komunës Ejup dhe të klubeve sportive, bënë shpërndarjen e kompleteve për fëmijët.
“Jemi së bashku me përfaqësuesin e Komunës së Ejupit nga Stambolli që të pranojmë një donacion për nëntë klube futbollistike, për të gjithë nga 20 komplete, dhuratë e cila vjen nga kjo komunë dhe e cila do të ju shërbejë klubeve të cilat janë në kuadër të Lidhjes Futbollistike Komunale të Gostivarit”, deklaroi Valbon Limani, kryesues i Këshillit të Komunës së Gostivarit.
Xhengiz Çypen, këshilltar nga AK parti në Këshillin e Komunës së Ejup Sulltanit në Satmboll theksoi se ky donacion vjen në bashkëpunim me këshilltarin turk në Këshillin e Gostivarit, Raif Raif.
“Këtë organizim jemi duke realizuar me Raif Rafi, këshilltar në Këshillin e Komunës së Gostivarit. Këtu kemi sjellur komplete për nëntë klube amatore sportive për të rinjtë. Janë komplete me të cilat besoj sadopak ti kemi gëzuar fëmijët dhe urojë që së bashku të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen”, deklaroi Xhengiz Çypen, këshilltar nga AK parti në Këshillin e Komunës së Ejup Sulltanit.
Ndryshe, Komuna e Gostivarit është e binjakëzuar me Komunën Ejup që nga qershori i vitit 2017-të. Që atëherë të dy komunat kanë pasur disa organizime të përbashkëta në Gostivar dhe në Stamboll.