Përmes një fushate publike që do të kushtojë mbi 350 mijë euro, Qeveria do të njoftojë opinionin me vlerat evropiane dhe përfitimet e anëtarësimit në BE. Fushata, thonë nga Qeveria do të kontribuojë në ndërtimin e mbështetjes së gjerë për arritjen e qëllimit strategjik të anëtarësimit në BE.
“Nën sloganin “E ardhmja evropiane, më afër se kurrë”, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes paneleve të diskutimeve, videove informative, animacioneve video, tabelave dhe përmbajtjes digjitale të destinuara për mediat sociale, do t’u ofrojë qytetarëve informacion në lidhje me avantazhet e procesit të integrimit evropian të vendit, por edhe të anëtarësimit në BE”, thonë nga Qeveria.
Kjo fushatë vijon menjëherë pas tribunave “Ne jemi Evropa”, të organizuara nga Sekretariati për Çështje Evropiane, për të cilat janë ndarë 80 mijë euro, dhe tani për tani nuk ka analizë të efekteve. Sipas profesoreshës universitare Jasna Baçovska Nediç, fushata e re është ndoshta për shkak të rritjes së euroskepticizmit, veçanërisht pas vetos bullgare. Ajo beson se fushata të tilla janë një mjet normal, i cili përdoret më shpesh për të shtypur disa fenomene socio-patologjike, por duhet pasur kujdes kur tema shkakton ndarje të caktuara ideologjike.
“Në atë fushë, ato duhet të përdoren me shumë kujdes, domethënë të kenë kujdes maksimal, që një fushatë publike të mos mbështesë matricën ideologjike të partisë politike në pushtet. Megjithatë, kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, ne e dimë se ishim një nga shoqëritë e pakta, ku ai konsensus shoqëror ishte në një nivel shumë të lartë”, deklaroi Jasna Baçovska Nediq – profesoreshë universitare.
Baçovska kujton se para fillimit të çdo fushate publike, është e nevojshme të bazohet ekspertiza në matjet statistikore, në mënyrë që të merret një pamje, nëse efekti do të arrihet ose fushata do të jetë kundërproduktive.
“Për shoqëritë shumë të politizuara, siç është shoqëria maqedonase, ekziston fenomeni i zhvillimit të skepticizmit ndaj fushatave politike të paguara. Njerëzit kanë ndjesinë se “këtu dikush paguan për të më bindur për diçka”, sepse vazhdimisht u nënshtrohemi disa ndryshimeve, problemeve dhe shumë faktorëve që kanë politizimin e shoqërisë”, shtoi Jasna Baçovska Nediq – profesoreshë universitare.
Profesoresa thekson se është shumë e rëndësishme që fushata të tilla të jenë transparente dhe çmimi të jetë i përshtatshëm me standardin ekonomik. Hulumtimi i fundit i Institutit për Demokraci tregoi një rënie të mbështetjes për anëtarësimin në 60%. Fushata e fundit filloi sot me një panel diskutimi, ku ministri Ljupço Nikolovski do të shpjegojë përfitimet e BE-së për fermerët. /Alsat.mk