Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nikolla Vasev dhe dy mjekë janë liruar nga akuza për punë të pandërgjegjshme gjatë shërbimit të tyre, pas një padie penale të bërë nga familjarët e një pacienti të vdekur në vitin 2019. Rasti ka qenë i hapur që nga viti 2021. Tani, dy vite më vonë, në caktimin e vendimit në Gjykatën Penale, gjykatësja Sllavica Naumovska tha se të akuzuarit Nikolla Vasev, Igor Stojkovski dhe Marija Simonovska janë liruar nga akuzat për shkak se provat e paraqitura gjatë procedurës nuk e vërtetojnë veprën për të cilën ngarkohen, raporton MIA.
“Gjatë gjykimit, prokurori publik nuk ka arritur të vërtetojë kohën dhe mënyrën e saktë të kryerjes së veprës penale”, tha Sllavica Naumovska, gjykatëse.
Prokurorja publike Lidija Raiçeviq, e cila përfaqësoi lëndën, në një deklaratë për media pas shpalljes së aktgjykimit, ka paralajmëruar ankesë në gjykatën e shkallës së dytë.
“Këta pacientë kanë nevojë për mbrojtje sipas dy ligjeve; Ligjit për kujdes shëndetësor dhe Ligjit për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve. Ata kanë të drejta të përcaktuara saktësisht që i ndjekin dhe i referohen pranimit, trajtimit, terapisë, diagnozës, marrëdhënieve me mjekët që do t’u japin besimin se janë në duar të sigurta dhe se mund të presin mbrojtje të vazhdueshme mjekësore. Ky pacient, i cili ka ndërruar jetë në kushte dhe rrethana shumë të vështira, nuk e ka marrë atë dhe për këtë arsye kemi konsideruar se është kryer një krim”, theksoi Lidija Raiçeviq, prokurore.
Çështja ndaj tre mjekëve vazhdon që nga viti 2021, me akuzën se një pacienti me melanoma malinje për tre muaj nuk i është përshkruar terapia në Klinikën e Onkologjisë, për pasojë ka ndërruar jetë pas përkeqësimit të shëndetit. Vasev ishte akuzuar se si drejtor i atëhershëm i Onkologjisë, nuk ka aprovuar që pacientit t’i përshkruhet terapia e duhur në periudhën nga qershori deri në shtator 2018. Madje ai, sipas akuzës, u kishte rekomanduar familjarëve të pacientit ta blini vetë terapinë nga një shtet fqinj. Gjendja shëndetësore e pacientit ishte përkeqësuar dhe ai vdiq në janar të vitit 2019.
Nino Vasev është njëri nga emrat e përfolur për skandalin në Klinikën e Onkologjisë i cili shpërtheu në opinion muaj më parë. Skandali që është akoma në fazë parahetimore, ka të bëjë me keqpërdorim të terapive të të sëmurëve me kancer dhe shitjen e tyre në të zezë jashtë klinikës, nga një rrjet i organizuar i të punësuarve në klinikë, në një keqpërdorim që ka zgjatur më shumë se dhjetë vjet.
Prokuroria nuk ka akuzuar akoma asnjë për keqpërdorimin në fjalë.