Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se masat që BE-ja i vuri Kosovës po përdoren si kushtëzim për krijimin e Asociacionit.
Sipas saj, kushtëzimi i tillë do të ketë vetëm efekt negativ.
“Masat duhet të hiqen moti, në fakt s’do duhej të vendoseshin kurrë sepse përkundër mospajtimeve mes Qeverisë dhe partnerëve të BE-së sa i përket 26 majit, Kosova ka vepruar në territorin e saj. Ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për ta kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja që janë vendosur në fillim. Një qasje të tillë e kam kundërshtuar edhe në samitin BE-Ballkan Perëndimor më 13 dhjetor sepse kjo logjika sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje dialogu do të ketë vetëm efekt negativ”, ka thënë ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me homologun e saj bullgar, Rumen Radev, deklaroi se ky shtet ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shtet-ndërtimin e Kosovës.
Sipas saj, vetëm anëtarësimi në NATO i të gjitha shteteve të Ballkanit mund të sjell paqe në rajon, duke shtuar se çdo veprim tjetër u jep hapësirë keqdashësve për ta destabilizuar rajonin dhe botën.
“Bullgaria ka dhënë kontribut në çdo etapë në shtet-ndërtimin e Kosovës, si pjesëmarrje në KFOR, me njohje të shtetit të Kosovës e kështu më radhë dhe në fund me përkrahje duke votuar pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Vetëm anëtarësimi në NATO i gjithë shteteve të Ballkanit mund të sjell paqe në tërë rajonin tonë”, u shpreh Osmani gjatë konferencës për media.