Aleanca për Shqiptarët ka kapacitet të shkojë e vetme në zgjedhje dhe të jetë konkurrente me BDI-në për të fituar, thotë deputeti dhe kryetari i Kuvendit Qendror të ASH-së, Ziadin Sela.
“Kam qenë ndjekës i kësaj ideje dhe vazhdoj të jem, por ka kohë në lidhje me marrjen e vendimit nëse do të shkojmë, në çfarë forme do të marrim pjesë në zgjedhje”, tha Sela për “360 gradë”.
Për variantin për një front edhe më të gjerë parazgjedhor në të cilin LSDM do të ishte me partnerët e saj, BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët, ai thotë se nuk është ithtar i kësaj ideje.
Sela poashtu tha se thashethemet se Arben Tarvari dhe ai do të ndahen sot ose nesër ekzistojnë meqë ne ekzistojmë si pari, por nuk ka të bëjë me realitetin brenda Aleancës, por i referohet dëshirave nga jashtë.
“Një nga dëshirat nga jashtë janë këto apele ndaj të ashtuquajturve opozita, njëra prej të cilave ka qenë pjesë e sistemit për 20 vjet, dy të tjera kanë qenë pjesë e BDI-së për dhjetë vjet dhe pas këtyre dhjetë vjetëve sërish në këtë përbërje kanë më shumë mandat në qeveri se ne, por realisht a e kuptoni qëllimet e thirrjeve që bëjnë”, shtoi Sela.