Mbahet sot seanca për ish-kryeministrin Berisha.
Disa ditë më parë SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme dhënien e masës së sigurisë arrest shtëpie për të. Sot në orë 10:00 në Gjykatën e Posaçme do të dëgjohen palët, nuk do të shqyrtohet në dhomë këshillimi por në prani të palëve, prokurorëve të SPAK, mbrojtjes së ish-kryeministrit, avokatëve të tij dhe vetë Berishës.
Më herët Prokuroria e Posaçme reagoi në një njoftim zyrtar për datën e mbajtjes së seancës për Berishën.
Kërkesa e SPAK për masën ndaj Berishës u dërgua më 22 dhjetor me zarf me arsyen se nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës. Berisha tha se do të konsultohet me avokatët e tij nëse do të marrë pjesë në seancën e Gjykatës së Posaçme.
Kuvendi votoi me 75 vota pro kërkesës së SPAK për arrestimin e tij. Më 12 dhjetor në një shkresë drejtuar Kuvendit, SPAK kërkoi autorizimin për arrestimin e Berishës me argumentin se ish-kryeministri nuk kishte zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.