Armando Broja mbetet në ajër, ndërsa sa më shumë afron janari, aq më shumë shtohen zhurmat në tregun e futbollit. Historia e fundit është për interesimin e Njukasëllit për shërbimet e sulmuesit “kuqezi”, me trajnerin Edi Hou që kuptoi se nuk mund të përballojë sezonin vetëm me dy lojtarë ofensivë si Isak e Uilson.
Çellsi do të kërkonte deri në 30 milionë euro për kartonin e 22-vjeçarit, ndërsa trajneri Poketinjo e ka bërë të qartë se nuk mund ta lejojë largimin e tij pa një përforcim të rëndësishëm.
Nëse Viktor Osimhen, ose ndonjë tjetër sulmues i shquar, do të vinte në “Stemford Brixh”, atëherë Broja padyshim që do të vendoste të largohej, pasi konkurrenca do të ishte e papërballueshme me pretendentët e tjerë si Xhekson dhe Nkunku. Sidoqoftë, a do të ishte Njukasëll ekipi i duhur për të?
Jo edhe aq, pasi nëse Isak e Ëilson janë në formë, shqiptari do të mbetej në stol. Pritet që Broja të zgjedhë, ndërsa Uest Hemi është interesuar gjithashtu për të.
Sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, e ka treguar se nëse luan rregullisht, siç ndodhi te Sautemptoni gjithnjë në Premier Ligë, ai mund të jetë një “yll” i vërtetë i kampionatit anglez.