Dy automjete të pajisura me sistemin PolCam, pajisje e brendshme e krijuar për të kontrolluar dhe monitoruar trafikun dhe shkeljet e automjeteve në lëvizje, kryetarja e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRr), Gordana Kozuvarovska, sot ia dorëzoi ministrit të brendshëm, Oliver Spasovski, transmeton Portalb.mk.
Sistemi PolCam dokumenton shkeljet e trafikut si: kalimi në semafor të kuq, drejtimi me shpejtësi më të madhe se e lejuari, parakalimet e paligjshme dhe shkelje të tjera, si dhe shpejtësia e lëvizjes së automjeteve mund të matet në një distancë fikse dhe të ndryshueshme nga automjetet.
Pajisja mundëson regjistrimin e videove prej 25 fotosh në sekondë, një hartë që tregon vendndodhjen ku është realizuar video, si dhe ekziston një opsion për të gjetur dhe njohur automatikisht targat që kanë kryer shkelje.
Pajisjet e integruara janë të kompanisë polake “PolCam”, të cilat përdorin kamera me rezolucion të lartë në pjesën e përparme dhe të pasme të automjetit në kushte të ditës dhe natës dhe në lëvizje për të regjistruar video të shkeljeve të kryera.
Video-incizimet e regjistruara ruhen në një hard disk që vendoset në pjesën e pasme të veturave dhe më vonë mund të përdoren si dëshmi e besueshme për kundërvajtjen e kryer para institucioneve kompetente, njoftoi MPB.
Përveç dokumentimit të shkeljeve të trafikut, kjo pajisje mund të zbulojë dhe njohë automatikisht targat e regjistrimit, të cilat janë regjistruar më parë për shkelje të kryer në trafik.
Në takim u prezantuan automjetet dhe pajisjet e vendosura në to, ku Spasovski tha se për herë të parë në vendin tonë policia ka automjete dhe pajisje të këtij lloji që “në mënyrë të jashtëzakonshme do të ndryshojnë imazhin e trafikut rrugor, në drejtim të përmirësimit të sigurisë së të gjithë aktorëve në trafik”.
Kozuvarovska dhe Spasovski u pajtuan se automjetet kanë përparësi të madhe në krahasim me pajisjet e palëvizshme për evidentimin e shkeljeve, gjegjësisht e shënuan komponentin e lëvizshmërisë si kyç për mbulim të plotë nga policia rrugore në drejtim të veprimit parandalues dhe represiv në terren në komunikacion, dhe të gjitha me qëllim zvogëlimin serioz të aksidenteve në komunikacion, veçanërisht me pasoja të rënda.