Lajme

Qytetarët: Fëmijët duhet të edukohen për rreziqet e mjeteve piroteknike

Në prag të festave të fundvitit përdorimi i mjeteve piroteknike nga ana e të rinjve në vend është rritur me të madhe. Përdorimi i mjeteve piroteknike pothuajse për çdo vit rezulton me pasoja të mëdha tek të rinjtë të cilët iu drejtohen klinikave për intervenim. Pavarësisht apeleve të institucioneve kompetente dhe ndalesave për shitblerje të këtyre mjeteve ato sërisht vazhdojnë të jenë të pranishme kudo. Qytetarët e intervistuar nga televizioni SHENJA vlerësojnë se kjo dukuri negative është e kahmotshme dhe theksojnë se duhet fëmijët që në moshë të hershme në shkolla të njoftohen me rreziqet që sjellin këto mjete.

QYTETAR

“Duhet të ndalohet rreptësisht përdorimi i mjeteve piroteknike, institucionet dhe prindërit duhet të veprojnë me kujdes. Gëzimi apo festa duhet të festohen ndryshe jo në këtë mënyrë. Nuk është diqka e madhe thjesht po bëhet ndërrimi i viteve asgjë më shumë”.

QYTETAR

“Mjetet piroteknike janë puna më e keqe, të rinjët janë të pavetëdijshëm, nuk e mendojnë që mund ti lëndojnë pjesët trupore sidomos duart dhe sytë dhe të ngelen të pa aftë tërë jetën. Le të festojnë me muzikë dhe vallëzime, un kam qen ish gjyqtar dhe në hulumtime e në bisedime kur i pyesnim njerëzit se pse e kanë bërë atë veprim, thonin se nuk e kanë ditur se mund të ndodh ashtu, të rinjët shpesh këto mjete i shndërrojnë në lojë dhe tentojnë të ngacmojnë njëri tjetrin pa i menduar pasojat, prandaj për këto mjete të rrezikshme duhet tu flitet fëmijëve që nga shkolla”.

Qytetarët thonë se për çdo vit policia organizon aksione dhe sekuestron mijëra mjete piroteknike, por petardat sërish shihen në treg.

QYTETAR

“Nuk po mundet të bëhet asgjë në këtë aspekt edhe po ti sekuestrojnë me tonë mjete piroteknike policia, sërisht njerëzit do të gjejnë kanale për furnizim. Para se gjithash edhe janë ndotëse të mëdha të ajrit e mos të flas për dëmet tjera fizike”.

QYTETAR

“Nuk duhet as të shfrytëzohen as të shiten. Duhet tu flitet në shtëpi fëmijëve që ato janë shumë të rrezikshme. Unë punoj në neurokirurgji dhe për çdo vit vinë të njerëz të lënduar, të gjakosur në duar e këmbë si dhe me problematika edhe më të mëdha. Duhet rreptësisht të ndalohen.”.

Për çdo vit në natën e ndërrimit të viteve qendrat spitalore raportojnë për numër të madh të rasteve që përfundojnë në spital nga përdorimi i mjeteve piroteknike.

Ndryshe ligji për prishjen e rendit publik dhe qetësisë të nenit 31 parasheh gjobë në shumë prej 200 deri në 500 euro për ata që përdorin mjete piroteknike ose lëndë të ngjashme shpërthyese. Ndërsa për shitësit e mjeteve piroteknike parashihet dënim me burgim prej tre deri në dhjetë vite.SHENJA/

Show More

Related Articles

Back to top button