Kreu i diplomacisë ruse ka marrë në mbrojtje qeverinë Serbe pas kritikave nga perëndimi për problemet me zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale.
Në një intervistë për median Ruse, Sergei Lavrov deklaroi se Uashingtoni dhe BE po e kërcënojnë me grusht shteti qeverinë serbe, nëse ajo nuk pranon vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe njohje e Kosovës.
“Uashingtoni veproi në Ukrainë me sloganin ose me ne ose me Rusinë…Shikoni Serbinë, tani ata po u kërkojnë të njëjtën gjë; vendosni sanksione ndaj Rusisë, jepni Kosovën, njihni pavarësinë e saj dhe më pas ne do t’u ndihmojnë të hyni në Bashkimin Europian. Dhe nëse nuk pranojnë, ata që do të organizojnë një grusht shteti”, deklaroi Lavrov.
Më herët, në një konferencë për mediat, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme në Moskë, ka dërguar një paralajmërim në drejtim të Serbisë. Maria Zaharova e bëri të qartë se nëse Serbia pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, do të kthehej në një shtet skllav, të privuar nga ndihma e Moskës.
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme akuzoi Perëndimin se po tenton te rrëzojë presidentin serb Aleksander Vuçiç nga pushteti me të njëjtin skenar të përdorur në Ukrainë në vitin 2014.