Dy ligjvënës serbë thanë se do t’i japin fund grevës së urisë, përmes së cilës kërkonin anulimin e zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën më 17 dhjetor, por tre anëtarë të tjerë të listës opozitare “Serbia kundër dhunës” vazhdojnë protestën e tyre.
Dy deputetë të parlamentit serbë, Janko Veselinoviç dhe Danijela Grujiq, njoftuan më 28 dhjetor se do t’i japin fund grevës së urisë pas këshillimit të mjekëve.
Veselinoviç njoftoi në platformën X, se ai dhe Grujiç u dërguan në spital.
“Jemi mirë. Mos u shqetësoni. Ne ende nuk e kemi përfunduar grevën e urisë. Por me këshillën e mjekëve, do ta bëjmë sot,” tha Veselinoviç.
Grujiq filloi grevën e urisë më 21 dhjetor, ndërsa Veselinoviq dy ditë më vonë.
Përveç grevës së urisë, në Beograd ka protesta të përditshme që prej përfundimit të zgjedhjeve më 17 dhjetor.
Veselinoviq gjithashtu u bëri thirrje mbështetësve që më 30 dhjetor në orën 12:00 “të jenë në Beograd” për një tjetër tubim.
Tre anëtarët e listës “Serbia kundër dhunës” që po vazhdojnë grevën e urisë janë Marinika Tepic, Jelena Millosheviq dhe Branko Miljus. Ata aktualisht ndodhen në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë, ku ndodhet selia e Komisionit Republikan Zgjedhor.
Ata po kërkojnë anulimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit duke pretenduar për mashtrime elektorale.
Tepic, një figurë udhëheqëse në listën “Serbia kundër dhunës”, që është partia kryesore opozitare atje, filloi grevën e urisë më 18 dhjetor pasi Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiq u shpall fituese e zgjedhjeve. Pavarësisht këshillave të mjekëve, ajo i tha Reuters se planifikon t’i refuzojë ato dhe të vazhdojë grevën.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe vëzhgues të tjerë ndërkombëtarë denoncuan atë që ata e quajtën një seri “parregullsish” në votim. Monitoruesit venodrë të zgjedhjeve pohuan gjithashtu se kanë ndodhur parregullsi në procesin e votimit.
Viola von Cramon, anëtare e misionit vëzhgues të Parlamentit Evropian për zgjedhjet parlamentare dhe lokale, dënoi parregullsitë e supozuara dhe tha se Parlamenti Evropian pret “standarde më të larta demokratike nga një vend kandidat për në BE”.