Që nga e hëna e 1 janarit, makinat me targa RKS – Republika e Kosovës – po lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë.
Lëvizja e tyre është mundësuar pas vendimit të 25 dhjetorit të vitit 2023 të Qeverisë serbe.
Siç kishte thënë paraprakisht shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, Qeveria e Serbisë mori këtë vendim “për të ndihmuar serbët nga Kosova”.
Para mediave, ai ka deklaruar se vendimi është një shtysë shtesë për nismën “Ballkani i Hapur”, që sipas Petkoviqit ua lehtëson jetën serbëve në Kosovë, pasi ata kryesisht përdorin pikëkalimet administrative.
Vendimi i Qeverisë serbe për të njohur makinat me targa RKS u mor pasi serbët që jetojnë në komunat në veri të Kosovës, gjerësisht zëvendësuan me RKS targat KS të lëshuara nga UNMIK-u, por edhe targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë që ishin me akronime serbe për qytetet e Kosovës.
Petkoviq tha se nuk është sekret që 99 për qind e serbëve në Kosovë kanë targa RKS, sepse kjo është mënyra e vetme për të lëvizur nëpër Kosovë.