Shefi i shtetit shqiptar, Bajram Begaj dhe i qeverisë Edi Rama ua uruan qytetarëve të Kosovës hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave, duke e vlerësuar këtë si “arritje të merituar, por të vonuar”.
Begaj në publikimin në Fejsbuk shkroi se shpreson se ky hap do ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.
“Urime qytetarëve të Kosovës, të cilët nga sot udhëtojnë pa viza në Evropë! Kjo është një arritje e merituar, por e vonuar. Shpresoj që ky hap të përshpejtojë të gjithë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, njofton Begaj.
Kryeministri Rama duke e uruar Kosovën për liberalizimin e vizave, në një publikim në Fejsbuk, shkroi “Ky vit nisi mbarë për Kosovën, me lirinë e shumëpritur të lëvizjes në Bashkimin Evropian”.
“Ky vit nisi mbarë për Kosovën, me lirinë e shumëpritur të lëvizjes në Bashkimin Evropian. Gëzuar Kosovë, gëzuar, shëndet e gjithçka ju do zemra shqiptarëve e shqiptareve të Kosovës”, shkruan Rama.
Qytetarët e Kosovës nga kjo e hënë, 1 janar 2024, pa viza mund të udhëtojnë në 27 vende të zonës Shengen.