LajmeRajon

“Ky vit do të na sjellë shumë më tepër konflikte”, Serwer jep paralajmërimin e “frikshëm” pas deklaratës së Vuçiqit

Krerët e shtetit të Kosovës, gjatë kohëve të fundit, kanë dhënë paralajmërime për sulme të reja nga Serbia.

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se alarmet për sulme të reja nga Serbia, duhet të merren seriozisht.

“Të gjitha informatat që ne i kemi është se Serbia po planifikon sulme të reja. Unë do t’i informoj të gjithë liderët evropianë për informatat që institucionet tona të sigurisë së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne së bashku duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin tonë”, ka thënë Osmani.

Edhe kryeministri Albin Kurti, ka folur për mundësinë e sulmeve të reja nga Serbia, duke treguar se grupi i Milan Radojiçiqit po vazhdon të riorganizohet në Serbi dhe se i njëjti po planifikon sulme të reja në Kosovë.

“Trajnimet drejtohen nga ushtarakë të pensionuar serbë, të cilët kanë grada të larta si gjeneralë, kolonelë e nënkolonelë dhe të cilët kanë njohuri për Kosovën, të cilët mbase kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së fundit në Kosovë. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajper.

Radoiçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA. Pjesëtarë terroristë po paguhen nga dy mijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se t’i dorëzojë terroristët, Serbia po shfrytëzon ata për sulme të reja. Terrorizimi është sfidë për ne, por nuk do të triumfojë”, ka thënë Kurti, gjatë javës së kaluar në një konferencë për media.

Deklaratat e udhëheqësve të Kosovës, erdhën pas paralajmërimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se në vitin 2024 do të ketë shumë më tepër kriza dhe konflikte në Serbi dhe në Kosovë.

“Kam frikë se ky vit do të na sjellë shumë më tepër konflikte dhe trazira se ai i mëparshmi, duke përfshirë edhe këtë, e kam fjalën për çdo lloj kërcënimi në Republikën Srpska, në Kosovë dhe në pjesë të tjera të rajonit”, ka theksuar ai.

Duke komentuar këtë deklaratë të presidentit serb, eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka akuzuar Vuçiqin se ai i ka shkaktuar të gjitha konfliktet e fundit ndërmjet dy vendeve.

“Presidenti Vuçiq e di, pasi ai i ka shkaktuar konfliktet e fundit. Nëse ai thotë se do të ketë më shumë konflikte, do të ketë më shumë”, ka thënë Serwer për gazetën “Bota sot”.

Paralajmërime për sulme të reja nga Serbia, si ai i 24 shtatorit në Banjskë, kanë dhënë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ky i fundit ka thënë se tri brigade serbe janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën.

Show More

Related Articles

Back to top button