LajmeMaqedoni

Kovaçevski dhe Mickoski: Nuk dëshirojmë të takohemi fshehtë

Nuk ka nevojë të ketë takime të fshehta me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Kur të ketë takim ai do të jetë në hapësirë publike, deklaroi lideri i LSDM-së dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke iu kundërpërgjigjur deklaratës së liderit të VMRO-DPMNE-së se nuk pranon takime të fshehta, njofton Portalb.mk.

“Unë nuk shoh se ka nevojë që të kemi takime të fshehta. Kur do të kemi takim, ai do të jetë takim që do të ndodh në hapësirë publike – nëse në Klubin e Deputetëve, në Kuvend, në rrugën Maqedonia në ndonjë kafene”, tha Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske për ta komentuar deklaratën e Mickoskit se ai nuk do të pranojë kurrfarë takime të fshehta me liderin e LSDM-së.

Kovaçevski tha se ende nuk kanë caktuar ndonjë takim me Mickoskin, duke theksuar se kanë komunikime në nivel partiak.

“Do të shohim se kur do të merremi vesh. Ne kemi komunikim në nivel partiak. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së është në komunikim të rregullt me nënkryetaren e LSDM-së”, tha Kovaçevski.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, paraprakisht deklaroi se Kovaçevski dëshiron të ketë takim të fshehtë me atë, por ai tha se diçka të tillë nuk do të ketë.

“Vlerësoj se nuk kemi nevojë të kemi kurrfarë takime të fshehta. Nuk e di për Kovaçevskin, por unë me atë nuk kam asgjë të fshehtë për të ndarë. Unë e kuptoj atë. Dëshiron të kemi takim, ndërkaq më pas tek ai në parti t’u tregojë gjëra të cilat nuk kanë ndodhur, t’u krijojë shpresë të rrejshme dhe në atë mënyrë të krijojë shfaqje për ndonjëfarë bashkimi, që të mund ta mbajë partinë në të cilën është evidente se ka pakënaqësi në shumë baza. Ato janë punët e tyre, por unë e di se kurdo që të kemi takim për atë do të njoftohet opinioni”, tha Mickoski.

Grindjet për atë nëse dikush ka kërkuar takim publik ose jo, po zhvillohen në periudhën kur pritet që në fund të këtij muaji, gjegjësisht më 28 janar, të votohet qeveria teknike, e cila do të funksionojë 100 ditë para zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Me 4 dhjetor, liderët e partive parlamentare arritën marrëveshje për datat e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm. Raundi i parë i garës për kreun e shtetit do të mbahet më 24 prill, kurse raundi i dytë së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Edhe 24 prilli dhe 8 maji 2024 janë ditë e mërkurë.

Sipas marrëveshjes koalicionuese me LSDM-në, BDI do të ketë postin e kryeministrit në qeverinë teknike. Deri më tani, është paralajmëruar se kryeparlamentari aktual Talat Xhaferi do të jetë i propozuari i BDI-së për kryeministër, ndërkaq kryetar Kuvendi, deputeti i LSDM-së Jovan Mitrevski. LSDM, gjithashtu do t’i mbajë edhe në qeverinë teknike të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat aktual, ndërkaq nga BDI ende nuk dihet nëse do të ketë ndryshime.

Në Qeveri do të duhet të marrë pjesë edhe opozita, gjegjësisht VMRO-DPMNE, e cila do të ketë ministra dhe zëvendësministra plotësues. Se kush do të jenë të zgjedhurit e Mickoskit, partia paralajmëroi se do të njoftojë pas 19 janarit.

Show More

Related Articles

Back to top button