Ekipet e shpëtimit në Japoni po nxitojnë për të gjetur 242 persona të zhdukur pas një tërmeti shkatërrues që goditi vendin më 31 dhjetor. Periudha kritike 72 orëshe që vijoi me kërkimet intensive për të gjetur të mbijetuar përfundoi mbrëmë vonë. Ndërkohë, numri i personave të vdekur deri më tani nga tërmeti me magnitudë 7.6 në gadishullin e largët Noto shkoi në 92.
Forcat Vetëmbrojtëse të Japonisë dyfishuan numrin e trupave që merrnin pjesë në kërkime, duke e ccuar në 4600, njoftoi agjencia e lajmeve Kyodo. Shumë njerëz mendohet se janë të bllokuar nën shtëpitë e tyre të shembura – kryesisht në qytetet Suzu dhe Wajima. Strukturat prej druri nuk u ndërtuan për t’i bërë ballë tërmeteve të fuqishëm që shpesh e pllakosin vendin.
Dhjetëra mijëra banorë janë akoma pa energji dhe ujë, ndërsa qindra të tjerë mbeten të izoluar për shkak të rrëshqitjeve të tokës dhe rrugëve të bllokuara. “Ne nuk do të dorëzohemi,” tha kryeministri japonez Fumio Kishida pas një takimi me zyrtarët e agjencive të kërkimit.
Japonia deklaroi më herët se do të shpenzonte 4.74 miliardë jen (34 milionë dollarë; 27 milionë paund) për rezervat buxhetore për të ndihmuar viktimat. Qyteti me një popullsi prej 23,000 banorësh tani i ngjan një qyteti fantazmë pasi paralajmërimet e hershme të evakuimit janë marrë parasysh që kur u dha alarmi për cunam.